Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e kësaj të diele në bregdetin e Durrësit, ku një i mitur dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në det.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 10:35, në lagjen nr. 13 të Durrësit, një 11-vjeçar, banues në Tiranë, dyshohet se është mbytur aksidentalisht gjatë kohës që po lahej në det.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për përcaktimin e shkakut të mbytjes.
Kjo ngjarje e rëndë vjen vetëm dy ditë pas tragjedisë në plazhin e Tales, ku humbën jetën dy vajza të mitura. Viktimat u identifikuan si Jonida Dajlani, 11 vjeçe, dhe Adelajda Misha, 9 vjeçe, të dyja nga Fushë-Kruja.
"Durrës / Informacion paraprak. Rreth orës 10:35, në lagjen nr. 13, Durrës, gjatë kohës që po lahej në det, dyshohet se është mbytur aksidentalisht një 11-vjeçar, banues në Tiranë. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkakut të mbytjes.", njoftoi Policia këtë të diel, teksa më tej priten më tepër detaje.
