Policia e Shtetit informon qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp.
Mashtruesit dërgojnë linke me pretendime të ndryshme, si p.sh. për të votuar në një konkurs ose për të konfirmuar një veprim. Më pas, i kërkohet përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp.
Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj. Policia e Shtetit këshillon qytetarët:
- Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur;
- Mos ndani kurrë kodin e verifikimit të WhatsApp me askënd;
- Aktivizoni funksionin Two-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacionin WhatsApp;
Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar atë dhe njoftoni personat e kontakteve tuaja dhe mbroni të dhënat tuaja.
