Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Shkatërrohet grupi kriminal që transportonin kokainën nga Amerika e Jugut në Europë, bien në pranga 12 persona, mes tyre 6 shqiptarë (EMRAT)

Shkruar nga Newsbomb
Shkatërrohet grupi kriminal që transportonin kokainën nga Amerika
Pamje nga operacioni

Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ato spanjolle ka arritur që të çmontojë grupin kriminal italo-shqiptar, të cilët merreshin me trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut për ta shitur në Itali dhe në shtetet e Europës Qendrore.

Përmes një njoftimi zyrtar blutë bëjnë me dije se në kuadër të këtij megaoperacioni të koduar “ICARO.AL”, kanë rënë në pranga 12 persona dhe po hetohen 8 të tjerë.

Në vendin tonë u lokalizuan dhe arrestuan me qëllim esktradimin e tyre drejt Italisë, shtetasit Igli Dervishi, Shkëlqim Pashja, Ervin Dema, Edmond Zhuja dhe Genti Berisha. Gjithashtu, falë informacionit të siguruar nga policia shqiptare, është arrestuar në Spanjë një tjetër pjesëtar i grupit kriminal, Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, 48 vjeç, me precedent penal.

Mësohet se gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në vendin tonë, është identifikuar dhe shpallur në kërkim, shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.

Këta shtetas akuzohen nga Gjykata e Breshias, Itali, se të organizuar si grup, kanë trafikuar lëndë narkotike Kokainë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në qytete të Italisë dhe në shtete të Europës Qendrore.

Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, nga zbulimi i aktivitetit intensiv të shpërndarjes së drogës brenda disa ambienteve argëtuese në liqenin Garda dhe nga identifikimi i furnizuesit të kokainës që u shitej klientëve gjatë mbrëmjeve.

Nisur nga ky fakt, hetuesit arritën të bien në gjurmët e grupit kriminal italo-shqiptar, i cili importonte sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut, në Itali. Transporti sipas mediave vendase mësohet se bëhej përmes automjeteve.

Njoftimi i Policisë: 

Policia e Shtetit pjesë e  megaoperacionit policor, ndërkombëtar të koduar “ICARO.AL”.

Megaperacioni i iniciuar nga autoritetet italiane, për shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte Kokainë me automjete nga Amerika e Jugut për ta shitur në Itali dhe në shtete të Europës Qendrore.

Deri tani, në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë.

Lokalizohen në Shqipëri dhe vihen në pranga, me qëllim ekstradimin, 5 shtetas shqiptarë, të akuzuar si pjesëtarë të grupit.

Më tej, informacioni i siguruar nga Policia shqiptare, mundësoi kapjen në Spanjë, të një tjetër pjesëtari të grupit, gjithashtu shtetas me precedent penal.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim për të njëjtën akuzë, 1 shtetas shqiptar, aktualisht në kërkim për vepra të tjera penale.

Në kuadër të megaoperacionit “ICARO.AL”, Strukturat për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSH, ato të Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Tiranë, si dhe Guardia di Finanza, në bashkëpunim me SPAK-un, vunë në pranga shtetasit:

I. D., 30 vjeç, banues në Elbasan;

Sh. P., 44 vjeç, banues në Elbasan;

E. D., 40 vjeç, banues në Elbasan;

E. Zh., 41 vjeç, banues në Shkodër;

G. B., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Më tej, si rezultat i sigurimit të informacionit nga strukturat e Policisë shqiptare, dhe shkëmbimit të tij me homologët spanjollë, u vu në pranga në Spanjë shtetasi shqiptar me precedent penal, G. P. alias A. P., 48 vjeç.

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.

Në koordinim me partnerët, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e këtij shtetasi.

Këta shtetas akuzohen nga Gjykata e Breshias, Itali, se të organizuar si grup, kanë trafikuar lëndë narkotike Kokainë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në qytete të Italisë dhe në shtete të Europës Qendrore.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për të finalizuar ekstradimet e shtetasve të arrestuar.

Materialet procedurale i kaluan SPAK, për veprime të mëtejshme.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese