
Kampet e Shëngjinit dhe Gjadrit në Lezhë do të jenë operacionale nga data 1 Gusht 2024, për të pritur emigrantët e parë që Italia do të sjellë në Shqipëri. Këtë e ka konfirmuar sot dhe vetë kryeministrja Giorgia Meloni, gjatë konferencës nga Lezha.
Puna ka nisur në muajin Mars dhe sipas kontratës, gjithmonë referuar mediave në Itali sepse marrëveshja mes dy vendeve është mbajtur si konfidenciale, dorëzimi pritet pas 233 ditësh, pra më 10 nëntor.
Mirëpo, kampi në Portin e Shëngjinit ka përfunduar dhe Rama e Meloni i kanë parë nga afër mjediset ku do të priten dhe qëndrojnë emigrantët. Po edhe përse kampi i parë është gati, ai nuk mund të bëhet operacional sepse është i ndërlidhur me Gjadrin.
Në kampin e dytë punimet kanë ecur me vështirësi, për shkaqe teknike që lidhen kryesisht me terrenin.
Për pesë vite që është nënshkruar kontrata, Italia pritet të paguajë plot 1 miliardë euro duke përfshirë ndërtimin dhe operacionalitetin e dy kampeve në Shqipëri, pagesat për stafet e sigurisë dhe ato spitalore që do të mbërrijnë në Lezhë, transportin e emigrantëve përmes detit dhe nevojat e tyre në Shqipëri.
Megjithatë, këto janë detaje që kanë rrjedhur në media dhe kostot nuk janë zyrtare.
Siç deklaroi kryeministrja e Italisë nga Shëngjini këtë të mërkurë, datë 5 Qershor, më datë 1 Gusht të dyja kampet do të jenë gati për të pritur emigrantët dhe fillimisht një numër prej 1.000 personash do të mbërrijë në Shqipëri, për të shkuar më pas në numrin maksimal deri në 3.000.