Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me aksidentin e raportuar këtë mesditë në hyrje të qytetit të Elbasanit, ku një autobus me nxënës doli nga rruga dhe përfundoi në një pikë karburanti, duke goditur tabelën e çmimeve të karburantit.
Sipas informacioneve paraprake që vijnë nga vendngjarja, dyshohet se drejtuesi i autobusit mund të ketë kryer një manovër të gabuar në momentin kur mjeti ka humbur kontrollin, duke bërë që të devijojë nga aksi i rrugës dhe të përfundojë pranë impianteve të furnizimit me karburant. Fatmirësisht, autobusi është ndalur vetëm pak metra larg zonës së rrezikshme, duke shmangur një tragjedi.
Asnjë prej nxënësve nuk ka mbetur i plagosur, po ashtu dhe asnjë prej shoferëve, ndërkohë që dëshmitarët kanë treguar se gjithçka ndodhi shumë shpejt, duke shkaktuar panik te qytetarët dhe kalimtarët e rastit si dhe te punonjësit e karburantit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur verifikimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe dinamikën e aksidentit, si dhe për të sqaruar përgjegjësitë e mundshme. Hetimet vijojnë, ndërsa pritet një njoftim zyrtar në orët në vijim për rrethanat e plota të ngjarjes.
