Efektivë të repartit speciale RENEA sapo kanë mbërritur te zona e njohur si "5 Maji" në Tiranë, ku pasditen e kësaj të marte një kullë banimi shumëkatëshe është përfshirë nga flakët duke zënë në befasi banorët e shumtë që jetojnë aty.
Siç shihet nga pamjet, efektivët e Forcave Speciale të përgatitur për ndërhyrje në situata të ngjashme, janë vënë menjëherë në gatishmëri dhe në shërbim të operacionit të shpëtimit. Gjithashtu, ekipeve të emergjencave u janë bashkuar edhe Forcat e Armatosura.
Tashmë, është bërë një orë qëkur zjarri ka nisur në kullat e reja të banimit dhe flakët janë përhapur me shpejtësi në fasadën e jashtë. Madje, ka raportime se ka dhe apartamente të caktuara që kanë marrë zjarr brenda.
Një punë heroike është duke u bërë edhe nga Forcat Zjarrfikëse të Tiranës, pasi efektivët e reparteve po bëjnë gjithçka për të fituar kohë e për të shpëtuar çdo jetë.
Siç shihet dhe nga pamjet, disa nga efektivët madje nuk kanë pritur as që bombulat e oksigjenit të zëvendësohen, por kanë vrapuar përmes autoshkallës për të hyrë brenda apartamenteve në katet e sipërme dhe për të shpëtuar banorët.
Për shkak të materialeve plastike të fasadës, zjarri rindizet herë pas here, pavarësisht se zjarrfikësit mundohen të izolojnë vatrën. Rrezik ka dhe për kalimtarët dhe ekipet e emergjencave që janë në zonë, pasi materialet shkëputen vazhdimisht nga katet e sipërme dhe bien në tokë.
Një dëshmitar ka thënë për Newsbomb.al se pavarësisht evakuuimit, dyshohet se në kullat e banimit mund të ketë ende banorë të cilët nuk kanë mundur të dalin. Sipas tij, katet e para janë me biznese, me lokale, por nuk e dinë se ku ka qenë origjina e zjarrit.

