Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e regjistruar këtë të hënë në Paskuqan, ku Sadik Llani dyshohet se qëlloi për vdekje të riun Ardian Baloshi, pas një konflikti për motive të dobëta mes tyre.
Një nga miqtë e 27-vjeçarit, gjatë një interviste televizive, tha se Baloshi jetonte vetëm me nënën dhe se nuk kishte as motër, as vëlla dhe as baba. Sa i përket vrasjes, ai tha se miku i tij mori plumb në kokë dhe nuk kishte mundësi të shpëtonte.
“Rob i vetëm. Jetonte me nënën, vetëm me nënën; as motër, as vëlla, as baba. Mori plumb në kokë ai, nuk shpëtonte më”, tha shoku i viktimës për Top Channel.
Sa i përket krimit të rëndë, mësohet se në vendngjarje janë gjetur 10 gëzhoja plumbash nga hetuesit e policisë. Raportohet se Llani e ka qëlluar Ardian Baloshin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë, mësohet se Llani ka tentuar të vrasë edhe një person tjetër, i cili fatmirësisht ka mundur t’u shpëtojë plumbave.
Gjithashtu, më herët policia njoftoi se 39-vjeçari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe se kushdo që jep informacion për kapjen e tij do të shpërblehet me 10 mijë euro.
Sadik Llani është një emër i njohur për autoritetet, pasi në vitin 2015, së bashku me anëtarë të familjes së tij, ai është arrestuar për trafikim heroine. Aktualisht, 39-vjeçari është në kërkim për vrasjen e Baloshit.
