Hapësire reklamuese

Aktualitet

Një vit nga humbja e tij, miq e familjarë mblidhen sot për të kujtuar Artan Lamen, njeriun që deshi atdheun deri në frymën e fundit

Shkruar nga Newsbomb
Një vit nga humbja e tij, miq e familjarë mblidhen sot për
Artan Lame

Familjarë, miq, kolegë, bashkëpunëtorë dhe njerëz të afërt të Artan Lames janë mbledhur këtë paradite të 21 majit në ambientet e “Tirana International Hotel”, për të kujtuar me mall dhe dhimbje babain, bashkëshortin, mikun dhe intelektualin e rrallë që la pas një boshllëk të madh në jetën publike shqiptare.

Një vit më parë, zemra e Artan Lames e tradhtoi larg Shqipërisë, pikërisht në Gjermani, aty ku kishte udhëtuar për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Por fati i hidhur deshi që tik-taku i fundit i jetës së tij të regjistrohej larg atdheut, vendit që ai e deshi aq shumë dhe të cilit i kushtoi dijen, pasionin dhe energjinë e tij deri në frymën e fundit.

Në këtë përkujtimore, miq e shokë të Lamës, të cilët i kishte të shumtë, do të rikthejnë kujtimet, bisedat dhe momentet nga jeta e një prej njerëzve që për vite me radhë u kthye në një zë të rëndësishëm të historisë, trashëgimisë kulturore dhe publicistikës shqiptare.

Artan Lame ishte nga ata njerëz që nuk kërkoi kurrë protagonizëm, por lejoi që puna dhe mendimi i tij të flisnin vetë. Me një stil të matur dhe gjithmonë njerëzor, ai arriti të fitojë respektin e publikut, miqve dhe kolegëve, duke mbetur një nga zërat më të sinqertë dhe më kritikë të shoqërisë shqiptare.

I lindur në Tiranë në vitin 1967, Lame e lidhi jetën e tij me historinë, kujtesën dhe identitetin shqiptar. Ai ishte ndër të paktët intelektualë që ngriti vazhdimisht zërin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në një kohë kur zhvillimi i vrullshëm rrezikonte të fshinte gjurmët e së kaluarës.

Përmes rubrikave të njohura “Shqipni e harrume” dhe “Shqipni tavolinash”, si edhe përmes dhjetëra analizave e botimeve, Artan Lame solli një mënyrë ndryshe të të parit të Shqipërisë, me dashuri, realizëm dhe përgjegjësi qytetare.

Ai mbajti poste të ndryshme publike, nga Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe zëvendësministër, deri te drejtimi i ALUIZNI-t dhe më pas i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Një vit pas ndarjes së tij nga jeta, mungesa e Artan Lames vijon të ndihet mes familjarëve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën nga afër apo e ndoqën ndër vite. Por bashkë me mungesën, ka mbetur edhe kujtimi i një njeriu që e deshi Shqipërinë me shpirt dhe që la pas një emër të respektuar në jetën publike shqiptare.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese