Selim Belortaja, ish-ambasador i Shqipërisë në Kinë, ka publikuar një fotografi nga ecja e mbrëmjes në zonën e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës dhe ngre disa shqetësime, lidhur me sigurinë dhe situatën në të cilën është lënë zona.
"Si është e mundur? Shëtitorja kryesore e Parkut të vetëm të Tiranës: asnjë polic "ligjzbatues" në detyrë, asnjë për be. Edhe kur ndesh ndonjë rastësisht sheh se ai nuk është atje për atë punë që shpreson ti", shkruan ai.
Ai thotë se jo vetëm që policët mungojnë, por edhe vendimi i qeverisë që duhet të zbatohej nga autoritetet, për ndalimin e monopatinave, nuk zbatohet.
Selim Belortaja tregon se në shëtitore që përshkon parkun e liqenit, kalojnë rrufeshëm me motora e me monopatina të rinjtë që rrezikojnë jetën e fëmijëve dhe qytetarëve të tjerë që zgjedhin këtë zonë të dedikuar për qetësi e relaks.
"Ajo që shpallet se "ndalohet" në fakt... lejohet gjithë ditën e natën. Ne që ecim atje e shohim me sy dhe për pak ... e prekim me brryl, kur "shkelësit" na kalojnë rrufeshëm ngjitur. (tani na ka rënë dhe vigjilenca sepse kujtojmë se prej vjet ato mjete vërtet janë ndaluar)", vijon reagimi.
Ish-ambasadori Selim Belortaja thotë se në hapësirën e parkut nuk ka asnjë njësi emergjence, qoftë edhe një infermier, për t'i ardhur në ndihmë të moshuarve apo qytetarëve të tjerë, që mund të përjetojnë një situatë shëndetësore gjatë ecjes.
"Asnjë pikë informacioni ku të ketë një hartë, një broshurë e ku turistët e huaj të marrin vesh se ku ndodhen e nga shkohet më tej... Ndërsa me tufat e mizave të vogla që gjithë rrugës tentojnë të na futen në sy e në hundë po bëjmë si po bëjmë... po merremi vetë. Bashkia sivjet me siguri s'ka pas buxhet dizinfektimi", përmbyll ai.
