Hapësire reklamuese

Aktualitet

Rrahman Kasa i Unionit Turistik shqiptar: Protesta po kthehet në “Dumbabiste”, mos lejoni që hallexhinjtë të përfaqësohen nga delenxhinjtë!

Shkruar nga Newsbomb
Rrahman Kasa i Unionit Turistik shqiptar: Protesta po kthehet në
Rrahman Kasa dhe protesta/ Fotomontazh

Rrahman Kasa, drejtuesi i Unionit Turistik Shqiptar shpreh shqetësim për mënyrën sesi disa parrulla dhe zëra nga protestuesit po orientohen kundër investitorëve dhe turizmit elitar në vend, që sipas tij do të sjellë punë, zhvillim dhe prosperitet jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ekonominë e vendit.

Në një shënim të gjatë në rrjetet sociale, kreu i këtij unioni sugjeron që protesta të marrë drejtim organizativ, në mënyrë që jo çdokujt t’i jepet mikrofoni për të folur për gjëra që dëmtojnë vendin.

Postimi i plotë

Kam ndjekur me shumë vëmendje protestat qytetare dhe i admiroj për qëndresën dhe natyren paqësore, e cila po merret si shembull dhe nga vende më të qytetëruara se ne.

Unë kam qenë pjesë e protestave të vitit ‘90 dhe kam qenë i etiketuar nga regjimi si person me pikëpamje të huaja, natyrisht jam me bindje të djathta edhe pse nuk i përkas asnjë force politike.

Pajtohem me protestuesit për të gjitha kërkesat politike, por ajo që nuk më bind është mungesa e një alternative, e cila duhet që të shpalosë një platformë të detajuar dhe t’u propozojë qytetarëve se çfarë modeli qeverisje synon, në mënyrë që të bindë qytetarët për një vision shtetformues.

Pikerisht për këtë kam arsye që të jem skeptik.

E para: Megjithëse u bë një muaj që protestohet nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh, dhe akoma dominon retorika kundërshtuese, dhe mbi të gjitha nuk kemi një lidership politik dhe një program alternativ më të mirë.

E dyta: Kjo protestë karakterizohet nga një bashkim i grupimeve të ndryshme dhe ka një diversitet të madh rrymash dhe idesh, disa prej të cilave janë tepër radikale, që në këndvështrimin tim nuk duan të zgjidhin hallet e njerëzve që kanë dalë në këtë protestë për jetën e vështirë, për korrupsionin, për çmimet e larta etj, por thjesht duan t’i përdorin ato halle për të realizuar qëllimet e mbrapshta të atyre që i sponsorizojnë.

E treta: Ne shqiptarët, kemi një problem edhe pse jetojme në një sistem demokratik, kërkojmë akoma gjykim popullor, siç edhe protestuesit brohorasin “Rama burg”, “Berisha burg”, që në fakt gjykimin duhet ta bëjë drejtësia (në mos kjo që është, ajo që do vijë) dhe jo masat, dhe mbajnë pankarta kundër investimeve të huaja, nuk duam turizëm modern, duam anulim ligjesh që zhvillojne turizmin, e duan Shqipërinë rezervat natyror etj,etj.

Kam qenë dhe jam plotësisht dakort, që disa ligje, siç është ai për investimet strategjike ka nevojë për përmirësim, sepse nga ky ligj kanë përfituar padrejtësisht, si nga prona shteterore ashtu edhe nëpërmjet tatim fitimit, që në fakt e kanë përfituar edhe ato kanë investitorë që kanë investuar 90% në real estate (vila ose apartamente) dhe 10% në hoteleri.

Unë si sipërmarrës prej 26 vitesh në këtë sektor, por edhe në pozicionin e Kryetarit të Unionit Turistik Shqiptar, kam qenë kundër përfitimit të padrejtë dhe kam kërkuar që përfitimi të jetë në raport me përqindjen e investimit (hoteleri - real estate).

Po kështu edhe ligji për paketën e maleve duhet rishikuar në mënyrë që toka e trashëguar, e cila per faj të shtetit nuk është pajisur akoma me certificatë pronesie, të mos i jepet një investitori tjetër, por vetëm atij që e trashëgon nga të parët e tij me qëllim që zonat rurale të zhvillohen, por në të njëjtën kohë, të mos krijojë konflikt social.

Kam dëgjuar në këtë protestë zëra që janë kundër investimit të resorteve luksoze, duke e justifikuar këtë me betonizim apo me zona të mbrojtura, se gjoja do na largohen disa flamingo, por që me dashje nuk llogarisin përfitimet që vijnë nga këto lloj investimesh, nga të cilat përfiton destinacioni, përfiton bujku dhe blegtori, përfiton buxheti i shtetit, nga i cili buron rritja e pagave dhe pensioneve, shëndetësia, arsimi etj,

Padiskutim që kjo duhet bërë me një transparencë të plotë, ku të merret parasysh dhe mbrojtja e ambjentit e cila duhet të zhvillohet në harmoni me natyrën duke ruajtur biodiversitetin, ekosistemin etj.

Mos respektimi i rregullave, keqqeverisja dhe arroganca nxitën me të drejtë shpërthimin e këtij zemërimi popullor, ku përveç qytetarëve të ndershëm që protestojnë për hallet e tyre, ka dhe zëra që ju përkasin rrymave radikale të cilët më kujtojne kryengritjen “Dum Babiste” që kërkonin kthimin e Shqipërisë nën Turqinë dhe ishin kundër orentimit perëndimor të vendit.

Për fat të keq, këta zëra njësoj si atëherë, janë kundër modernizimit, kundër turizmit dhe të një rryme që është dukshëm me prirje radikale dhe me pikpamje fetare, që ndikojnë në prishjen e harmonisë fetare të popullit tonë.

Brenda protestës ka dhe qytetarë të manipuluar që jetojnë nën minimumin jetik dhe që për shkak të jetës së vështirë bëjnë thirrje me urrejtje kundër të pasurve, të cilët i fusin të gjithë në një thes duke i etiketuar të gjithë si oligarke pa dallim, megjithëse pjesa më e madhe e tyre jane biznese të ndershme, dhe kjo për fat të keq na kthen në kohën e vendosjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës, slogani i të cilit ishte që t’jua marrim pasurinë të pasurve dhe te jua japim të varfërve, por që në fakt e morën për vete.

Nga publikimet e fundit të disa emrave që përbëjnë grupin organizator të protestës, njërin prej të cilëve e njoh prej shumë kohësh, sepse vjen nga sektori i turizmit, i cili është një njeri shumë kurajoz, ju kërkoj me miresjellje që të ndikojë dhe të mos i lejojnë këto folës që të artikulojnë këto teza të rrezikshme, ose së paku të mos i përkrahin përfaqësuesit e këtyre rrymave.

Megjithate, jam plotësisht i bindur se këto përfaqësojnë një përqindje shumë të vogël mes qytetareve të ndershëm që e duan vërtetë Shqipërinë Europiane, por që duhet të tregohemi vigjelentë dhe të mos biem preh e kësaj loje të pistë e këtij grupi të vogël hienash dhe të mos lejojnë që hallexhinjtë të përfaqësohen nga delenxhinjtë!

Historia ka treguar se lëvizjet qytetare mund të rrëzojnë një qeveri, por nuk mund të zëvendësojnë qeverisjen, në qoftëse nuk ofrojnë një alternative të re dhe një politike të re e te besueshme për shumicen e qytetarëve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese