Pasi Policia iu vuri prangat për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit në Zvërnec të Vlorës, Gjykata mësohet se ka caktuar “arrest me burg” për dy punonjësit e kompanisë private “Major Security”, Artur Gramin dhe Gazmend Vathin.
Burimet për mediat bëjnë me dije se dje, gjykata pasi ka vlerësuar provat dhe situatën e ndodhur pasditen e 30 majit në Zvërnec, caktoi të linte prapa hekurave dy rojet private të cilët së bashku me Geraldo Bibën që aktualisht është prapa hekurave akuzohen për dhunë fizike.
Artur Grami dhe Gazmend Vathi akuzohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, pasi në protestën e 30 majit, të zhvilluar në Zvërnec, dyshja bashkë me Geraldo Bibën tërhoqën zvarrë një qytetar që ishte i pranishëm në protestë.
Gjykata e Vlorës caktoi mëngjesin të hënës, më 1 qershor, masën e sigurisë “arrest me burg” për rojën private të kompanisë “Major Security” Geraldo Bibën i cili akuzohet për për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje” në lidhje me situatën e tensionuar në fundjavën që lamë pas në Zvërnec.
Ndërkohë që emri i tij është në qendër të vëmendjes së mediave shqiptare për shkak të sjelljes së pahijshme ndaj protestuesit në Zvërnec, mësohet se Geraldo Biba nuk është vetëm një punonjës i thjeshtë i kompanisë “Major Security” e cila operon në qytetin bregdetar të Durrësit.
Përveçse ish-mister Shqipëria 2012 e roje privat e kompanisë në fjalë, Geraldo Biba rezulton pronari në hije i kësaj kompanie, sipas gazetarit Elton Qyno.
Edhe pse fiktivisht në dokumentacione rezulton pronare e kompanisë vjehrra e tij, 58-vjeçare nga Durrësi me emrin, Shpresa Myzyri, një person pa eksperiencë dhe njohuri për situatën e rendit, menaxhimin e situatave me turma apo zgjidhjen e problematikave, raportohet të jetë Biba në krye të “Major Security”.

