
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën për masën e sigurisë “Arrest në Burg” për organizatorin dhe autorët që dhunuan avokatin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Sokol Mëngjesi disa ditë më parë. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-Bllokut, sapo avokati dërgoi fëmijën në kopësht.
Ndërkohë pak para se të fillonte seanca gjyqësore, Prokuroria e Tiranës ndryshoi aktaakuzën për të dyshuarit kryesorë, duke vendosur që ta referojë rastin para gjykatës për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe jo vrasje.
Aktualisht në qeli do të qëndrojë organizatori i sulmit, Dritan Nano dhe njëri nga autorët e sulmit, Dorian Alia, i cili është njëkohësisht edhe dhëndri i Nanos, ndërkohë që për 3 të arratisurit është dhënë masa e sigurisë në mungesë.
Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua me grushte dhe leva mëngjesin e 29 majit, pranë një kopshti në ish-Bllok, pak minuta pasi kishe lënë djalin e tij të mitur në këto ambjente. Nga sulmi barbar i 4 të rinjve, avokati Sokol Mëngjesi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka marrë goditje të rënda në pjesën e pasme të kokës.

Ndërkohë që bëhen 72 orë nga futja e tij në intubim, ditën e sotme bluzat e bardha do të bëjnë tentativën e parë për ta zgjuar nga koma artificiale.
Ishin 4 autorët të cilët e qëlluan me doreza hekuri dhe leva, të identifikuar si: Dorian Beqir Alia, 32 vjeç, banues në Tiranë, u vetëdorëzua në Polici; Drivald Sokol Alia, 21 vjeç, banues në Tiranë; Elton Ndue Kasaj, 33 vjeç, banues në Tiranë; Romario Roberto Tabaku, 26-vjeç, banues në Tiranë.
Organizatori dhe porositësi i sulmit barbar ndaj avokatit është Dritan Nano. 58-vjeçari do të dalë sot para gjykatës ku dhe do t’i komunikohet masa e sigurisë. Bashkë me të, për masë del dhe dhëndri i tij Dorian Alia, një nga dhunuesit, ndërsa 3 të tjerë janë ende në kërkim.

58-vjeçari Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur, pasi Mëngjesi fitoi gjyqin për pronën e një familje me 8 trashëgimtarë. Nano nuk ka respektuar detyrimet që ka pasur ndaj avokatit dhe studios ligjore.
Kanë qenë në total 8 trashëgimtarë që i përfaqësonte Mëngjesi dhe një nga ata nuk ka pranuar që të zbatojë kontratën dhe t’i paguajë detyrimet avokatit.
Sokol Mëngjesi ka kërkuar që të respektohet kontrata e firmosur para gjyqit, mirëpo vetëm njëri prej trashëgimtarëve, konkretisht 58-vjeçari Dritan Nano nuk ka pranuar të shlyejë pagesën. Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijoj shitja.