Personi që shikoni në foto është Novruz Cenalia, efektivi 28-vjeçar i cili u eksekutua sot me armë zjarri në Fier.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Baltëz, teksa i riu po shkonte në punë. Mësohet se i ndjeri ishte efektiv i repartit “Shqiponja” dhe pjesë e policisë prej 3 vitesh.
Mendohet se babai i viktimës ka vrarë një person disa vite më parë, duke shtyrë autorin 23-vjeçar të identifikuar si Asllan (Azgan) Mernica, t’i marrë jetën efektivit Novruz Cenaliajt. Burime për mediat bëjnë me dije se i ati i viktimës punon si polic në sallën operative të komisariatin e Fierit.
Sakaq, Forcat Speciale RENEA kanë dalë me urgjencë nga reparti dhe janë nisur drejt Fierit, për të lokalizuar dhe ndaluar autorin e vrasjes së efektivit të "Shqiponjave".
Një grup hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të saj. Ajo që dihet deri tani, është se sherri ka ndodhur për një vend parkimi.
Novrus Cenalia ka qenë i veshur me uniformën e shërbimit, por jashtë tij, sepse po shkonte drejt vendit të punës për të marrë detyrën. Autori Asllan Mernica ka qëlluar disa herë me armë dhe është larguar me një mjet ngjyrë blu nga vendngjarja.
"Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje", thuhet në njoftimin për media të Policisë së Fierit.



