Vrasje e një efektivi policie ka tronditur ditën e sotme fshtatin Baltëz në Fier. Edhe pse dinamika e ngjarjes ende nuk është e qartë, dyshohet se një nga shkaqet është edhe gjakmarrja.
Mendohet se babai i viktimës ka vrarë një person disa vite më parë, duke shtyrë autorin 23-vjeçar të identifikuar si Asllan (Azgan) Mernica, t’i marrë jetën efektivit Novruz Cenaliajt, i cili po shkonte të merrte detyren. Burime për mediat bëjnë me dije se i ati i viktimës punon si polic në sallën operative të komisariatin e Fierit.
Një grup hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të saj.
Novrus Cenalia ka qenë i veshur me uniformën e shërbimit, por jashtë tij, sepse po shkonte drejt vendit të punës për të marrë detyrën. Autori Asllan Mernica ka qëlluar disa herë me armë dhe është larguar me një mjet ngjyrë blu nga vendngjarja.
"Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje", thuhet në njoftimin për media të Policisë së Fierit.
