Një efektiv i Policisë së Shtetit ka mbetur i vrarë mesditën e kësaj të hëne në fshatin Baltëz të Fierit. Siç shihet dhe nga pamjet e mbërritura në redaksinë tonë, polici është qëlluar sapo ka dalë nga makina e tij dhe ka humbur jetën në mes të rrugës.
Shërbimet e Policisë së Fierit kanë mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes dhe një ekip mjekësor gjithashtu, por fatkeqësisht ka qenë tepër vonë.
Dyshimet paraprake bëjnë fjalë për konflikt të çastit që ka ndodhur mes efektivit të Policisë së Shtetit dhe një personi tjetër, ku për pasojë i pari ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër flitet se ka mbetur i plagosur, raporton newsbomb.al.
Rruga është rrethuar me shirita skenë krimi dhe nga planvendosja e mjeteve të personave të përfshirë në konflikt, përforcohet bindja se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit.
Autori i të shtënave është larguar nga vendngjarja dhe Policia është vënë në ndjekje të tij, ndësa për zbardhjen e saj janë angazhuar dhe drejtuesit më të lartë të Drejtorisë së Policisë së Fierit. Efektivi i vrarë nuk ka qenë në shërbim këtë mesditë.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.