Ilir Gjini, alias Lika, alias Kokaj, alias Nure, rreth 40 vjeç është vrarë mbrëmjen e sotme në qytetin e Kurbinit. Shërbimet e Policisë së Shtetit bëjnë me dije se ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
40 vjeçari me 4 mbiemra dyshohet se ka rënë në atentat dhe nuk bëhet fjalë për një konflikt të çastit. Predha e plumbit e ka kapur Ilir Likën në pjesën e kokës ndaj dhe goditja ka rezultuar fatale.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Kurbinit është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Njoftimi i Policisë së Shtetit për ekzekutimin e Ilir Likës:
Rreth orës 22:10, në qytetin e Kurbinit, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Ilir Gjini, alias Lika, alias Kokaj, alias Nure, rreth 40 vjeç. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por ka humbur jetën gjatë transportimit.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Ndërkohë, është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

