Gjyqi për Gërdecin është shtyrë për në 14 dhjetor. Gjyqi u shty për shkak se Fatmir Mediu kërkoi që të ishte sot i pranishëm në Kuvend për të marrë pjesë në votimin e buxhetit 2024.
Burime bëjnë me dije se GJKKO ka thirrur si dëshmitarë për në seancën e 14 dhjetorit, Shkëlzen Berishën, Aldo Bumçin dhe pesë persona të tjerë.
Ata do të pyeten lidhur me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në periudhën kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, 15 mars 2008. SPAK ka dyshime se Shkëlzen Berisha ka patur telefonat menjëherë para edhe pas shpërthimit në Gërdec.
Lexo edhe: Fatmir Mediu reagon për vendimin e Gjykatës së Strasburgut për Gërdecin
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK i komunikoi më 10 janar 2023 ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzat lidhur me përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me inciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
