Përcaktohen kriteret e reja për pagesën e taksave për makinat e luksit. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pragu që një mjet të konsiderohet luksi zbret në çmimin e blerjes 5 milionë lekë, nga 7 milionë që është këtë vit. Taksa e luksit paguhet nga autoveturat me numrin e vendeve 4+1, me cilindrat 3000 kubikë dhe çmim blerjeje 5 milionë lekë. Taksa e luksit paguhet nga rreth 5400 mjete, ose 1,5 për qind e totalit të makinave.
Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor janë përcaktuar gjithë procedurat për pagesën e taksave vjetore dhe një shembull që tregon se si do të llogariten detyrimet për mjetet gjatë vitit të ardhshëm. Taksa e luksit llogaritet në dy faza. Mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi për herë të parë në masën 70.000 lekë dhe taksë e përvitshme në masën 21.000 lekë çdo vit.
Taksa prej 70 mijë lekësh është taksa vetëm për regjistrim për herë të parë, dhe kjo taksë nuk e shoqëron mjetin pas regjistrimit për herë të parë, pra në vitin pasardhës drejtuesi i mjetit do të paguajë vetëm 21 mijë lekë. Sipas ligjit në fuqi, taksa e luksit paguhet nga makinat me cilindrat motorikë mbi 3 mijë kubikë dhe çmimi i mjetit të jetë mbi 7 milionë lekë. Ndërsa për vitin e ardhshëm do të ndiqet e njëjta praktikë, por kufiri do të jetë 5 milionë lekë çmimi i blerjes.
Në rast se mjeti ka cilindrat 3 mijë kubikë, por nuk ka çmimin e blerjes 7 milionë lekë, ky mjet do të paguajë taksën e luksit. Mund të plotësohen të dyja kriteret, ose mund të jetë vetëm njëri prej tyre. Pra mjeti që ka cilindrat 3 mijë kubikë taksohet me taksën e luksit. Në rast se mjeti është me cilindrat më pak se 3 mijë kubikë, por vlerën e tij e ka mbi 7 milionë lekë, atëherë do të taksohet si mjet luksi.
TARIFAT PËR PATENTAT
Tarifat e pajisjes me leje drejtimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, të cilat janë si më poshtë:
-Për leje drejtimi të kategorisë A 3.000 (tre mijë) lekë;
-Për leje drejtimi të kategorisë B 4.500 (katërmijë e pesëqind) lekë;
-Për leje drejtimi të kategorisë C 2.000 (dy mijë) lekë;
-Për leje drejtimi të kategorisë D 3.000 (tre mijë) lekë;
-Për leje drejtimi të kategorisë BE, CE dhe DE 3.000 (tre mijë) lekë.
Shembull:
Makina autoveturë model S320CDI, me naftë, viti i prodhimit 2001, vëllimi 3222
·Kur makina regjistrohet për herë të parë më 03.01.2016, do paguajë:
-Taksa e mjeteve të përdorura të transportit(TVMP) është Cilindrata 3222 x koeficienti i karburantit 12.5 x Koeficienti sipas vjetërsisë 0.44 = 17.721 lekë.
-Taksa e regjistrimit për herë të parë të mjeteve luksoze 70.000 lekë.
-Taksa e përvitshme për mjetet luksoze 21.000 lekë.
Pronari i mjetit do paguajë gjithsej 108.721 lekë
· Kur paraqitet për të paguar detyrimet e taksave më 03.01.2017, do paguajë:
-Taksa e mjeteve të përdorura të transportit(TVMP) është Cilindrata 3222 x koeficienti i karburantit 12.5 x Koeficienti sipas vjetërsisë 0.48 = 19.332 lekë.
-Taksa e përvitshme për mjetet luksoze 21.000 lekë.
Pronari i mjetit do paguajë gjithsej 40.332 lekë./GSH
