Një incident ka ndodhur në ditën e 13-të të protestës kombëtare, ku raportohet se një person ka provokuar protestuesit dhe më pas është larguar. I riu kishte me vete një qen të racës pitbull dhe ka nisur të ofendojë protestuesit, ndërsa këta të fundit kanë reaguar menjëherë.
Sipas JOQ Albania, bëhet fjalë për djalin e ish-deputetit të PS-së, Paulin Sterkaj. Fillimisht ai ka provokuar dhe ofenduar influencerën Dea Mishel, të cilës iu drejtua me fjalët:
“E ke lexuar Aristotelin ti që del në protestë?”
Ndërsa Dea Mishel i është përgjigjur me “Po”, situata degradoi, pasi djali i ish-deputetit i është kthyer turmës së protestuesve me ofendime të rënda dhe thirrje politike, duke bërtitur: “Rroftë Rama, i hani atë…”
Më pas ai është larguar me vrap, pasi po ndiqej nga protestuesit. Është dashur ndërhyrja e policisë, e cila shmangu një përballje fizike.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe influencerja Dea Mishel, e cila bëri me dije se është ofenduar nga djali i Sterkaj.
“Më sulmoi mua. Jo, nuk iu kthyen sepse tha ‘Rroftë Rama’, iu kthyen sepse më ofendoi me fjalë të turpshme, pa më provokuar!”, shkruan Dea Mishel në koment.

