Taulant Balla, si kreu i Grupit Parlamentar të PS, ka bërë me dije se socialistët do të votojnë kundër kërkesës së demokratëve të enjten në Kuvend, për ngritjen e një Komisioni hetimor për gjyqin e Shqipërisë me biznesmenin italian Francesco Becchetti.
Balla tha se kjo kërkesë bie ndesh me Kusshtetutën, por dhe se Avokati i Shtetit dhe Gjykata Europiane për të drejtat e njeriut ka kërkuar që informacionet për këtë proces të jenë konfidenciale. Kur gjyqi të ketë ecur më shumë në procesin juridik, tha Balla, atëherë mund të ngrihet Komisioni hetimor.
Për dy Komisionet e tjera të kërkuara nga opozita, atë për zgjdhjet e 25 prillit dhe inceneratorët, socialisti është shprehur se PD duhet të rifomulojë objektin e kërkesës së saj.
Pjesë nga fjala e Taulant Ballës:
Unë dua tju bëj me dije se nga PD kanë ardhur tre kërkesa, njëra prej kërkesave bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushteteuse, e cila ka sqaruar qasjet për komisionet hetimore. Është e vërtetë që pakica ka të drejtë të ngrejë Komisionin hetimor, por kur bie ndesh me Kushtetutën... kjo kërkesë bie ndesh me Kushtetutën. (I referohet kërkesës për Bechettin).
Nuk mendoj që dhe PD mendon se do t'i bëjmë shërbim një individi, sepse çështja në fjalë është ky individi përballë Shqipërisë. Avokati i Shtetit kërkon që kjo çështje të shtyhet dhe sapo Shqipëria të ketë ecur në procesin juridik, ne mund ta ngremë këtë çështje në një moment të dytë.
Procesi gjyqësor i Arbitrazhit dhe ai në Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut, ka qenë konfidencial nga të dy palët dhe publikimi i dokumenteve në Komision mund të dëmtonte Shqipërinë. Jemi njoftuar që ka dhe një proces në Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut, dhe është vendosur që gjithë dokumentacioni për këtë çështje të jetë konfidencial.
