Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në lidhje me ngjarjen e rëndë që u shënua ditën e djeshme në Tiranë në rrugën “Vasil Shanto”, ku pas një debati në supermarket Jurgen Duka u qëllua me armë nga polici Arbër Sula.
Bëhet me dije se policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin Orgest Drazhi, 36-vjeç, pasi ka qenë prezent në konflikt dhe nuk e ka kallëzuar ngjarjen në polici.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. D., 36 vjeç, pasi në rrugën "Irfan Tomini", duke qenë prezent në konfliktin e çastit ku humbi jetën shtetasi J. D., nuk ka kallëzuar krimin. Ndërkohë nga shërbimet e Policisë, vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorit të krimit, shtetasit A. S”njofton policia.
I arrestuari për moskallëzim krimi

Kujtojmë që ngjarja e rëndë u shënua pak pas mesnatës së 14 dhjetorit, ku Jurgen Duka së bashku me shokun e tij, dyshohet në gjendje të dehur kishin hyrë në një market, aty kishte nisur debati me polici Arbër Sula, se kush do paguante i pari. Ky i fundit nxori armën dhe qëlloi mbi 29-vjeçarin, ku një plumb në zemër i mori jetën.
29-vjeçari u dërgua në spital, më pas ndërroi dhe jetë, ndërsa autori i kësaj ngjarje është i shpallur në kërkim.
