Historia e 22-vjeçarit Albiano Kreçi, jeta e të riut të cilit u ndërpre në mënyrë tragjike, pas përplasjes fatale të makinës jet-ski me të cilën ai lundronte në brigjet e Ksamilit me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës, ka tronditur mbarë opinionin publik.
Tragjedia e 22-vjeçarit nxjerr në pah rrezikshmërinë që rrjedh nga lundrimi me jet-ski në det, mjete uji sportive të cilat kërkojnë aftësi të mira për të mbajtur drejtimin e duhur.
Newsbomb.al mëson se një përplasje e fortë me jet-ski ka ndodhur para afro 20 ditësh në Gjirin Poda të Ksamilit, i cili për pak sa nuk përfundoi në tragjedi për dy shtetase të huaja, dyshohet turiste.
Dy vajzat, të cilat udhëtonin me jet-ski në brigjet e Gjirit Poda, kanë humbur drejtimin e mjetit ujor e janë aksidentuar duke marrë lëndime të mëdha trupore te të dyja. Njëra prej tyre, për shkak të ngjarjes, raportohet të ketë mbërritur në spital në gjendje kome.
Lundrimi me jet-ski në det sa vjen e bëhet i rrezikshëm, për shkak të vështirësi për të mbajtur nën kontroll drejtimin e mjetit dhe pengesave për të pasur një pamje të qartë.
Madje, për bregdetin shqiptar, këto mjete nuk është e qartë si janë lejuar të përdoren, sepse në botë, ato lejohen në vende ku vija bregdetare është shumë e gjerë dhe rreziku për pushuesit është shumë i ulët.
Kurse Gjiri i Ksamilit, siç dihet, është shumë i vogël për të përballuar të tilla mjete që ofrojnë adrenalinë dhe lëvizin me shpejtësi të lartë, ndërkohë që nuk llogaritet hapësira për pushuesit.
Teksa ngrihet shqetësimi për lundrimin me mjete uji në Ksamil, në familjen Kreçi ka pllakosur zia.
Djali i vetëm të familjes, vëllai i dy motrave mbylli sytë përgjithmonë pas kënaqësisë së çastit të përfituar nga lundrimi në bregdet, çka i kushtoi atij jetën.
Ashtu siç raporti pak më parë newsbomb.al, Policia Kufitare ka bllokuar me qëllim verifikimin 8 mjete ujore në Ksamil, për shkak ato dyshohet të kenë fuqi motorike më të madhe se norma e lejuar. Prandaj, çdo mjet që do të verifikohet nga Policia Kufitare dhe nëse konstatohet shkelje do të merren masa ndaj poseduesve të tyre.
Ky aksion vjen pas ngjarjes së rëndë të regjistruar ditën e djeshme në Ksamil ku Albiano Kreçi, vetëm 22-vjeç, humbi jetën pas përplasjes së "jet-car" me të cilin udhëtonte,me një skaf të Policisë Kufitare të Sarandës e cila ndodhej në shërbim dhe monitorim të hapësirës detare, rreth 400 metra larg bregut.


