Hapësire reklamuese

Politikë

Pirro Vengu ikën nga Mbrojtja pas 19 muajsh, Edi Rama ia beson Ministrinë këshilltarit të Ballukut dhe ndihmësit të Engjëll Agaçit

Shkruar nga Newsbomb
Pirro Vengu ikën nga Mbrojtja pas 19 muajsh, Edi Rama ia beson
Ilustrim: Pirro Vengu dhe Ermal Nufi, minister i ri i Mbrojtjes

Ermal Nufi do të jetë ministri i ri i Mbrojtjes i Shqipërisë, pas vendimit që kryeministri Edi Rama ka marrë në mbledhjen me dyer të mbyllura që ka mbajtur me socialistët këtë të enjte, duke shkarkuar Pirro Vengun, raporton newsbomb.al.

Ky i fundit e drejtonte këtë dikaster prej 19 muajsh, që në Korrik 2024 kur Edi Rama vendosi ta fuste për herë të parë në kabinetin e kaluar qeveritar dhe e rikonfirmoi në detyrë në Shtator 2025, në kabinetin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare.

Ky është mandati i katërt i Partisë Socialiste në drejtimin e vendit, me Edi Rama që qeverisë prej Shtatorit 2013, si askush tjetër në historinë e Shqipërisë demokratike.

Drejtuesi i ri i Ministrisë së Mbrojtjes, një dikaster kyç në qeverisje dhe strategjik për Shqipërinë, do të jetë juristi dhe avokati Ermal Nufi, raporton newsbomb.al. Ai vjen rishtaz në kabinetin qeveritar, por jo në administratë.

Deri më sot, ai mbante pozicionin e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, duke ndihmuar e zëvendësuar Engjëll Agaçin, i cili gjithashtu pak ditë më parë u raportua papritur se ishte tërhequr nga detyra si Sekretar i Këshillit të Ministrave, pas 12 vitesh.

Gjithashtu, prej vitit 2021, Ermal Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, pranë Belinda Ballukut, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, ai është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ex-officio kryeson Bordin e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese