Kryebashkiaku Erion Veliaj edhe një herë ka folur për marrjen në pyetje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Ai madje ka shpjeguar edhe se përse pas dëshmisë në SPAK, për median, prokurorët e këtij institucioni të lartë të drejtësisë i quajti “kolegë”.
Kryebashkiaku tha se jo vetëm prokurorët, median, por të gjithë ata që i sheh të angazhuar në një mision të përbashkët, ai i konsideron kolegë.
“Deri tani ka qenë tabu që autoritetet të bashkëpunonin dhe janë parë si armiqësore. Është normale që autoritet të kenë nevojë të sqarohen. E kam kërkuar prej kohësh bashkëpunimin zyrtar me SPAK-un. S’ka pse të na bëjë përshtypje kur një palë s’ka asnjë kompleks dhe ka shprehur gatishmëri. Ajo që duhet të na bëjë përshtypje është jo një njeri që respekton ligjin, por ata që refuzojnë dhe sulmojnë organet e drejtësisë.
Unë ju quaj kolegë dhe ju të medias, pra njerëzit që janë angazhuar në një vokacion publik, sepse kemi një mision të përbashkët. Kush i sheh si armiq nuk duan që disa institucione të funksionojnë. Një njeri duhet të jetë konsistent, s’mund të them një herë “rroftë SPAK-u” dhe më pas ta degjeneroj këtë institucion. Normalja e re duhet të jetë e njerëzve që bashkëpunojnë”, tha ai ndër të tjera një interviste për “Breaking” në Top News.