Zija Çela, një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë se sotme shqiptare, është takuar me trajnerin e Kombëtaresh shqiptare, Silvinjo, dhe shkruan plot empati për momentet që ka ndarë me të dhe fotografitë e shkrepura.
"Ja, kështu më mbeten këto foto si një kujtim i paharrueshëm. Por edhe i çmuar. Sepse, të thuash të drejtën, edhe futbolli është një lloj arti përballë kundërshtarit, ashtu si letërsia njëfarë beteje përballë krijimtarisë", shkruan ai.
Zija Çela tregon se teksa është takuar me Silvinjon dhe ka patur një bisedë të shpejtë, gazetari i njohur Tom Therçaj ka shkrepur fotografitë e mëposhtme.
"Rasti nganjëherë sikur ka zë dhe të thërret atje, ku s’e kishe parashikuar. Ti nuk e dëgjon thirrjen, por megjithatë (sa misterioze!) i përgjigjesh. Ndodhesh diku, ku bëhen bashkë dy njerëz, sado që nuk pritej. Por ndodhet gjithashtu një i tretë që, duke patur sy të mprehur, përfshihet në çast prej një ideje të shpejtë. Dhe ai përfytyron: “Po sikur, sikur…?” Gjithsesi nuk e lë me kaq, hyn në veprim e fikson me aparat", thotë shkrimtari.
Ai tregon se ky person i tretë është pikërisht gazetari Tom Therçaj, të cilin kur Zija Çela e ka pyetur më pas për përfytyrimin që i kishte ardhur në mendje, ai i është përgjigjur:
"Intuita profesionale më çoi përnjëherë te një vizion i veçantë, prandaj nxitës për mua. Po shihja dy mjeshtra njëherësh, dy mjeshtra në dukje të kahjeve të kundërta. Njëri nga trajnerët më të shquar të kombëtares sonë të futbollit, tjetri njëri nga… të letërsisë sonë kombëtare.”
© Newsbomb.al
