Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira këto 12 muaj! Shqipëria përsëri në UNESCO, 10 ngjarjet e kulturës për vitin 2025

Shkruar nga Newsbomb
Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Artur Zheji, Dhimitër Anagnosti, Margartia Xhepa, Enver Petrovci, Lahuta, Papa Leone

Viti 2025 i dha lamtumirën e fundit disa prej figurave më të rëndësishme të artit shqiptar, gazetarisë dhe spektrit fetar.

Portrete që për dekada dhanë kontribute të paçmueshme, lanë pas trashëgimi dhe krijuan idhuj për gjeneratat e reja. Këto 12 muaj iu dedikuan ngjarjeve që shënuan fillime të reja dhe zunë vend në histori.

1. Yjet e kinematografisë që u shuan, por që gjithmonë do të mbeten të paharruar

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Margarita Xhepa dhe Enver Petrovci

Ikona e filmit dhe skenës shqiptare, Margarita Xhepa, u nda nga jeta më 3 prill, një ditë pasi kishte festuar 91 vjet. Për aktoren e mirënjohur u mbajtën homazhe në hollin e Pallatit të Kongreseve, me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura të botës së artit dhe jo vetëm. Margarita Xhepa mbylli sytë përgjithmonë në një spital privat në kryeqytet, pas disa problemeve pulmonare. Kontributi i saj në kinematografi mbetet pikë reference për çdo të ri.

Aktori i shquar nga Kosova, Ever Petrovci, ndërroi jetë më 22 shtator në moshën 71-vjeçare. Ikona e filmit dhe teatrit do të mbahet mend përjetë për dramat klasike, por edhe për rolet moderne, duke gëzuar një admirim të jashtëzakonshëm nga publiku.

2. Zëra të heshtur e vepra të pavdekshme, regjisorët shqiptarë që u ndanë nga jeta

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Lart: Leka Bungo dhe Piro Milkani/ Poshtë: Naun Shundi dhe Dhimitër Anagnosti

Një nga kolosët e kinematografisë shqiptare, regjisori Piro Milkani, u nda nga jeta më 24 maj në moshën 86-vjeçare. Milkani ishte një prej figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe kontribut të jashtëzakonshëm në artin e regjisurës.

Kinemaja shqiptare humbi më 11 qershor regjisorin, aktorin dhe skenaristin e njohur Leka Bungo, në moshën 81-vjeçare. Bungo ishte një nga figurat më të dashura të kinemasë dhe televizionit shqiptar, me dekada krijimtarie dhe ndikimi në skenën artistike.

Pas një lufte të gjatë me sëmundjen, regjisori i njohur, aktori dhe dramaturgu Naun Shundi mbylli sytë përgjithmonë më 28 gusht, në moshën 66-vjeçare. Shundi la pas një trashëgimi të rëndësishme në skenën teatrore kombëtare.

I vlerësuar si një nga regjisorët më të rëndësishëm të shekullit XX, kineasti i njohur Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta më 1 shtator. Edhe sot, filmat e Anagnostit vazhdojnë të zgjojnë interes të lartë artistik.

3. Prej më shumë se 3 dekadash Kryepeshkop i gjithë Shqipërisë, vdekja e Anastas Janullatos

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Anastas Janullatos

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, u nda nga jeta më 24 janar në moshën 95-vjeçare. Ai shërbeu si Kryepeshkop për më shumë se tre dekada, duke luajtur një rol kyç në ringritjen dhe forcimin e Kishës pas rënies së komunizmit. Gjatë udhëheqjes së tij, kontribuoi në rindërtimin e shumë kishave, zhvillimin e institucioneve fetare dhe forcimin e marrëdhënieve ndërfetare në Shqipëri.

4. Joan Palushi zgjidhet Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Joan Palushi

Mitropoliti i Korçës, Joan Palushi, u zgjodh Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë më 16 mars. Joan Palushi ka studiuar për disa vite në Shkollën Teologjike Ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit, në Shtetet e Bashkuara. Ai ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare.

5. Lamtumirë Papa Françesku, bota katolike sot drejtohet nga Papa Leone XIV

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Papa Françesku dhe Papa Leone

Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare, pas problemeve shëndetësore. Ai u bë Papë në vitin 2013, pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.

Pavarësisht kundërshtimit të hershëm të Vatikanit ndaj idesë së një Pape nga SHBA-ja, për shkak të statusit të vendit si superfuqi globale, Prevosti u zgjodh pasardhës i Papa Françeskut më 8 maj i emëruar Papa Leone XIV.

6. Shuhet përgjithmonë gazetari dhe publicisti i njohur Artur Zheji

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Artur Zheji

Gazetari dhe publicisti i njohur Artur Zheji u nda papritur nga jeta më 23 gusht në Sarandë, pas një arresti kardiak. Vetëm 64 vjeç, Zheji kishte një karrierë të gjatë në botën e medias. Përveçse gazetar dhe publicist i njohur, ai ishte autor i disa botimeve dhe ka mbajtur funksione drejtuese në disa media në Shqipëri.

Zheji ishte një nga figurat më të respektuara të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, duke lënë gjurmë të thella në debatin publik dhe mediatik në vend.

7. Zëri klasik i operës shqiptare, ndarja nga jeta e Sopranos Luiza Cako

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Luiza Cako

Pas një karriere të gjatë në muzikën klasike dhe operistike shqiptare, sopranoja e mirënjohur Luiza Cako mbylli sytë përgjithmonë më 29 shtator, në moshën 88-vjeçare. Ajo njihej për zërin e saj të veçantë, interpretimet me ndjeshmëri të lartë artistike dhe rolet e shumta në repertorin operistik shqiptar dhe ndërkombëtar.

8. Lumi Vjosa, zyrtarisht pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Lumi Vjosa

Lumi Vjosa u përfshi zyrtarisht në programin “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s, duke u bërë pjesë e listës së trashëgimisë botërore. I njohur si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë dhe një ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri, Vjosa u shpall “Park Kombëtar” në mars të vitit 2023, pas përpjekjeve disavjeçare të organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare mjedisore për ta mbrojtur nga ndërtimi i digave të hidrocentraleve.

9. Lahuta zyrtarisht pjesë e UNESCO-s

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Lahuta

Arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar, u shpall zyrtarisht pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, duke u përfshirë në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme.

Përfshirja e lahutës në këtë listë ndërkombëtare jo vetëm e ngre këtë traditë në vëmendjen globale, por edhe thekson nevojën për ruajtjen e saj, për të siguruar vazhdimësinë e një simboli të rrallë të identitetit shqiptar.

10. Panairi i 28-të i Librit në Tiranë

Nga aktorët tek regjisorët; artistëve që iu dha lamtumira
Panairi i 28-të i Librit

Për të 28-in vit radhazi, në Pallatin e Kongreseve u zhvillua Panairi i Librit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Panairi u çel më 12 nëntor dhe zgjati pesë ditë, me pjesëmarrjen e rreth 100 shtëpive botuese.

“Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat” është shprehja e Ismail Kadaresë që u zgjodh si moto e këtij viti, për të theksuar nevojën që libri të mos shkëputet nga lexuesi i tij.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese