Hapësire reklamuese

Politikë

Ish-ortaku i pronarit të inceneratorit të Tiranës, ngre dyshime për lidhje me Iranin

Shkruar nga Newsbomb
Ish-ortaku i pronarit të inceneratorit të Tiranës, ngre dyshime

Gabriele Tarroni Longinotti, një nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të Alberto Presezzit, ka treguar në një intervistë të dhënë për emisionin "Kronos" në MCN TV se gjatë kohës që ka qënë partner në biznes me Presezzin ka parë shumë politikanë shqiptarë të hyjnë e të dalin te zyra e tij.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit në Shqipëri, Alberto Presezzi me dokumente rezulton pronar përfitues i shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, kompania që ka në pronësi inceneratorët.

Alberto Presezzi, shtetas italian, i datëlindjes 1969, është pronar përfitues për 40% të Pronësisë, pasi zotëron 100% të kapitalit të shoqërisë “Bruno Pressezi” S.p.a, e cila zotëron 100% të kapitalit të shoqërisë “Franco Tosi Meccanica” S.p.a, dhe kjo e fundit zotëron 40% të kapitalit të shoqërisë GeoGenix (mëma e Integrated Energy BV SPV për 100% të pronësisë).

Longinotti në intervistën e tij nga Dubai, ka komentuar deklaratat e bëra nga ish-zv.kryeministri dhe ka theksuar se Arben Ahmetaj i di dhe pronarët e tjerë të inceneratorit të Tiranës.

“Unë e dëgjova të gjithë intervistën që bëri ish-zëvendës kryeministri. Përveç faktit që nuk tha asgjë sepse ai ka më shumë frikë nga të gjithë, kjo është një skandal sepse tregoi vetëm 40% të aksioneve. Nëse një kompani ka 100% aksione, trego se kush ka 60%. Ai e di shumë mirë. Mjafton ta pyesni atë se cilët janë.

Kush është pronari i ICARE? Alberto Presezzi! Ciaffagione është punonjës i Alberto Presezzit.Pronar i kompanisë Franco Tosi është Tuga. Kush është pronar që ka aksione përveç tij te Tuga? Mapna. Kush është Mapna? Kompania shtetërore e energjisë e Iranit.

Drejtor i përgjithshëm i saj ka qënë gjithmonë Ali Abadi, sapo ndodhi kjo rrëmujë me këto që unë kam thënë, Ali Abadi u bë ministër i Minierave për të marrë pasaportë diplomatike që askush të mos e ndalojë kur udhëton. Më është thënë gjithashtu se ka patur një udhëtim të dikujt shumë të rëndësishëm nga Shqipëria në Iran", ka thënë Gabriele Tarroni Longinotti.

Gabriele Tarroni thotë se kompania që ka 40% të aksioneve te inceneratori i Tiranës, Franco Tosi Meccanica ka marrëdhënie biznesi me shoqërinë shtetërore të energjisë në Iran “Mapna”. Emisioni "Kronos" arriti të verifikojë përmes faqes zyrtare të Mapna themelimin e një firme të përbashkët, ku Franco Tosi Meccanica ka 45% dhe Mapna 55%, por deri tani nuk ka asnjë dokument që të tregojë lidhje të transaksioneve nga Irani me llogaritë e inceneratorit të Tiranës.

Lexo edhe: Ish-ortaku i Presezzit: Veliaj ulej për dreka e darka me pronarët e inceneratorit!

Gabriele Tarroni ka patur një histori miqësie dhe biznesi me Alberto Presezzin, por të dy janë përfshirë në një konflikt. Presezzi e ka akuzuar Tarroni Longinottin se kishte përvetësuar një shumë të konsiderueshme parash nga një firmë e përbashkët që kishin, ‘Gala’.

Për këtë Gabriele është arrestuar, por në fund ka fituar pafajësinë nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Ai thotë se i është vendosur ekspuls dhe nuk lejohet të hyjë në territorin shqiptar me qëllimin e vetëm për t’i mbyllur gojën. Të gjithë historinë ai e konsideron të stisur pasi ka kërcënuar Presezzin se do të publikonte informacione sensitive që dinte për të.

Më herët, edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka aluduar për lidhje dhe financime të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe shtetasve italianë që figurojnë pronarë "presta nome" të inceneratorit të Tiranës, me kompaninë e Ali Aliabadit në Iran.

"Ekzistojnë dyshime shumë të forta se Erion Veliaj, Miliad Lopa dhe Bruno Preseci riciklojnë paratë e Pasdaran dhe kompanisë së Gardës Revolucionare të Iranit. Pasi Ali Aliabadi është një ish-komandant i Gardës Revolucionare dhe tani sipërmarrës i madh në Iran, që e ka të gjithë partneritetin me qeverinë. Hetimi ndërkombëtar i kësaj afere është një domosdoshmëri jo vetëm pse kemi të bëjmë me falangat mafioze të Shqipërisë, por edhe të dy kontinenteve", është shprehur Sali  Berisha.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese