Shtetasit e huaj të cilët kërkojnë të marrin pasaportën shqiptare kanë ardhur në rënie përgjatë vitit 2025. Kjo pasi të dhënat e INSTAT tregojnë se kanë qenë 495 persona të cilët kanë fituar shtetësinë shqiptare, 46% më pak rahasuar me vitin 2024, kur kjo e drejtë iu dha 919 personave.
Nga 495 përfituesit, 306 e rifituan shtetësinë shqiptare, ndërsa 189 e morën atë për herë të parë. Mbi gjysma e tyre, 56.1%, janë me origjinë nga Kosova. Pas tyre renditen shtetasit nga Turqia me 20.1%, ndërsa më pas vijnë Maqedonia e Veriut dhe Italia, raporton Euronews.
Teksa 173 persona kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, sipas statistikave grupmosha 30–39 vjeç përbën pjesën më të madhe si të atyre që fituan shtetësinë, ashtu edhe të atyre që vendosën ta lënë atë.
Nga ana tjetër bien në sy edhe aplikimet për azil të cilat janë në rritje, ku përgjatë 2025-ës u regjistruan 144 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare, 40 më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe e aplikimeve u paraqitën nga shtetas të Egjiptit, të cilët përbënin 39.6% të totalit, të ndjekur nga Afganistani me 11.8% dhe Palestina me 9.7%.
