Nga Maksim Kulla
Gjimnazi i qytetit të Lushnjës u krijua në shtator të vitit 1956, ajo fillimisht emërtohej Shkolla Model dhe funksiononte si shkollë e bashkuar së bashku me 7-vjeçaren. Në vitin e parë tё krijimit tё gjimnazit do të regjistroheshin 49 nxënës, ku vetëm 19 prej tyre do të përfundonin maturën që do të konsiderohej në historinë e shkollave të mesme të rrethit të Lushnjës si matura e parë.
Në vitin 1958 në stafin pedagogjik ishin mësuesit: Pëllumb Omari, Rexhep Ballhysa, Jahja Gjinali, Nikolla Xhongo, Niko Deda, Beatriçe Deda, Hajro Babameto, Ahmet Gallavata, Haki Ago, Myfit Juka dhe Ikbale Dema. Maturantët e parë : Albert Pisku, Antigoni Papa, Bilbil Cami, Eugjen Merlika, Evgjeni Bano, Gori Prifti, Halil Jaçellari, Halit Zeqo, Izet Shehu, Kristaq Billo, Luan Nepravishta, Luljeta Korreshi, Meli Lici, Robert Çabej, Seit Prishta, Taibe Haxhiu, Vera Turku, Vjollca Gjini.
Kjo maturë me rezultatet dhe arritjet e saj, krijoi një traditë ndër vite dhe mbeten “elita” e rrethit tonë. Gjimnazi ka një kontribut të jashtëzakonshëm në lëvizjen rinore, në aktivitetet kulturore e artistike dhe nё vitin e krijimit tё saj mё 1956, u ngritën menjëherë grupet artistike, ansambli i shkollës, tё cilёt i dhanë një impuls lëvizjes artistike në qytet ku shohim të aktivizohen instrumentistё që kishin mësuar në kurset pranë Shtëpisë së Pionierit dhe në Shtëpinë e Kulturës për violinë, mandolinë, fizarmonikë, kitarë etj.
Një figurë tepër ekspresive, ishte muzikanti Ramiz Haznedari një fizarmoniçist i talentuar dhe organizator që do të linte gjurmë në historinë e zhvillimit muzikor në qytetin e Lushnjës. Ai jepte mësim në shkollat e qytetit dhe punonte jashtëzakonisht me grupet amatore korale e me përgatitjen e këngëtarëve pranë Shtëpisë së Kulturës dhe Shtëpisë së Pionierit. Pas largimit tё Ramiz Haznedarit njё rol pёr organizimin e aktiviteteve artistike do tё luante Niko Deda i emёruar i sapo emëruar nё gjimnaz si mёsues i matematikё-fizikёs dhe qё do tё bashkëpunonte ngushtё me Shefqet Karaj nё ndёrtimin e grupeve artistike tё shkollёs.
Në vitin shkollor 1956-1957, drejtori i shkollёs sё bashkuar “20 Tetori” qё konsiderohet si drejtori i parё ishte emëruar Llazar Prifti dhe njё vit më pas, emёrohet drejtor shkolle Shefqet Karaj (Durrës), i cili ishte organizator dhe krijues letrar, ku krahas reformimit të programit mësimor, arriti të afronte grupimet e para të të rinjve në lëvizjen kulturore artistike duke formuar ansamblin, teatrin dhe estradën amatore.
Gjimnazi i Lushnjës në historinë e saj ka një kontribut të jashtëzakonshëm në lëvizjen rinore, në aktivitetet kulturore e artistike nё kёtё kohё veprimtaritë zhvilloheshin në godinën e Shkollës Model dhe në ambientet e Shtëpisë së Kulturës së rrethit. Pas rënies së tërmetit që goditi fuqishëm qytetin e Lushnjës në vitin 1959, për një kohë të shkurtër mësimi u zhvillua pjesërisht në çadra në kopshtin e shkollës mbrapa saj dhe pjesërisht në baraka që u ndërtuan në atë kohë kryesisht për filloren dhe 7-vjeçaren e më pas gjimnazi do të kalonte në godinën e shkollës “Skënder Libohova”.
Pranë Shtëpisë së Kulturës dhe në rrethet e Shtëpisë së Pionierit funksiononin grupe fёmijёsh tё cilёt kishin formuar grupin e baletit, tё kёngёtarёve dhe zhvilloheshin kurse për mësimin e instrumenteve muzikor si fizarmonikë e mandolinë. Me krijimin e gjimnazit do tё shtoheshin kurset jashtё shkollore pёr mёsimin e instrumentave tё të violinës e të kitarës jo vetёm me nxënësit e shkollave fillore, por edhe tё gjimnazit. Shohim tё funksionojё kursi i violinës me nxёnёsit : Thoma Lala, Tajar Cerria, Rrapi Zoi, Shpëtim Rançi, Minella Dani, Jani Gjergji dhe në kitarë e mandolinë Josif Billo, Kristaq Billo, Liljana Papa etj, tё cilёt përgatiteshin nga mësuesit Thoma Papa pёr instrumentin e violinës e mandolinës dhe Niko Deda me instrumentin e fizarmonikës.
Ardhja e Niko Dedës nё Lushnjë nё vitin 1958 me aftёsitё e tij jo vetёm si mёsues, por edhe organizator i veprimtarive kulturore artistike bёri qё tё gjallërohej jeta nё qytet. Duke njё formim muzikor dhe zotëronte me profesionalizëm instrumentin e fisarmonikёs, u afrua pranё Shtёpisё sё Kulturёs dhe pёr 6 vite do tё aktivizohej jo vetëm si instrumentist por edhe si dirigjent i orkestrёs sё estradёs amatore e mё vonё asaj profesioniste. Ka një meritë se për shumë vite do të jetë shoqërues i këngëve të kënduara në të gjithë rrethin e Lushnjës, qytetet fqinje e deri ne prezantimin në festivale kombëtare e personalitete të kohës, nga Vaçe Zela në një periudhë 3-vjeçare, deri në fund të vitit 1961.
Nё dokumentet arkivore tё Seksionit tё Arsimit e tё Kulturёs sё Rrethit midis tё tjerave gjejmё materiale tё shumta pёr punёn jashtёshkollore qё bёhej nё drejtime tё ndryshme në bashkëpunim me organizatën e rinisё dhe organizatën e pionierit. Nё njё informacion pёr vitin shkollor 1960-1961, drejtori i gjimnazit Thoma Papa, raporton pёr arritjet nё drejtimet: Punё tё dobishme shoqërore, punё vullnetare dhe aksione nё ndihmё tё bujqёsisё, aktivitete sportive, kampionatet e futbollit, basketbollit, volejbollit dhe manifestimet fizkulturore, nё ndihmё tё mёsimit, puna qё bёhej me rrethet e fizikёs, kimisё, rrethin letrar, aktivitete kulturore etj. Pёr aktivitetet kulturore, thuhet se qё nё ditёt e para tё fillimit tё vitit shkollor u ngritёn rrethi korit, valleve, solistёve, recituesёve dhe i teatrit.
Kёto rrethe kanё funksionuar rregullisht nёn drejtimin e pedagogëve: rrethi i korit Mustafa Bylo, i valleve Ikbale Pema, i solistёve Niko Deda, i recituesёve Beatriçe Deda dhe teatrit Shefqet Karaj. Ngritja e kёtyre rretheve ndihmoi shumё pёr pёrgatitjen e programeve artistike ku krahas grupit tё korit tё tё rinjve u ngrit edhe kori i pionierёve, ku janё dhёnё shfaqje e mbrëmje tё shumta artistike.
Ishte koha kur funksiononte edhe brigada kulturore e gjimnazit. Ja si e kujton ish nxënësi i gjimnazit Minella Dani, funksionimin e këtij grupimi: ......Gjithçka përgatitej nga mësuesi i apasionuar Shefqet Karaj. Tekste të gatshme të asaj periudhe për për fshatin, përgjithësisht kritika për mungesë zelli në punë për individë të ndryshëm për humor. Ishim maturantë djem e vajza. Kemi qëndruar e dhënë shfaqje me skena të improvizuara me aktorë herë njëri e herë tjetri në të gjithë fshatrat e zonës së Divjakës deri në Kryekuq. Flinim në korridore et e shkollave, vajza e djem. Hanim në menca dhe na trajtonin shumë mirë.
Na merrte malli, e ishim të gatshëm të niseshim në këmbë për të parë ndeshje futbolli në Lushnjë, por mësuesi Shefqet Karaj dinte të na qetësonte. Sapo rregullonim skenën, Thoma Lala na e prishte me gjuajtjet me top e shpesh krijohej ndonjë sherr i vogël me humor me mësuesin Ahmet Gollovata e që përfundonte me të qeshura. Ka qënë një muaj shumë i bukur, pavarësisht vështirësive të papërfillshme për moshën....
Duhet theksuar se në vitet në vazhdim, të rinjtë e gjimnazit do të loznin një rol të madh në emancipimin dhe lëvizjen kulturore artistike e cila mori një rëndësi të veçantë sidomos pas viteve 1960, në organizimin e olimpiadave të përvitshme të qendrave të punës e të prodhimit dhe të shtëpive të kulturës në fshat. Grupet artistike do të konkuronin denjësisht nё veprimtaritё kulturore artistike në qytet me grupe të teatrit, të ansambleve që rriteshin e forcoheshin për vit në saj të aktivizimit dhe pjesëmarrjes edhe të mёsuesёve duke u vlerësuar me çmime e trofe të tjera.
Me ndërtimin e godinës së re në lagjen “Kadri Qystri”, në vitin 1963, gjimnazi funksionon përsëri si shkollë e bashkuar me 7-vjeçaren me drejtor Siku Velon. Njё vit më vonë me nxënësit e shkollave hapen kurset e violinës, mandolinës, kitarës e të solfexhit të cilët vazhdonin pas orëve të mësimit dhe kuptohet që vështirësitë e fillimit ishin prezente sidomos për krijimin e kushteve për mësimdhënie. Këta nxënës tё cilёt ishin përzgjedhur nga mёsuesi Fotaq Filipeu ishin Roland Tomorri, Haki Voshtina, Eva Mëhilli, Rezarta Ypi, Tefta Sinjari etj, të cilët shumë shpejtë disa prej tyre do të ishin në formacionin e orkestrës së estradës profesioniste të qytetit.
Në vitin 1967-1968 shkolla “20 Tetori”, transferohet tek ndërtesa e e re ku është dhe sot e cila vetëm në vitin e parë të saj do të ishin bashkë me 8-vjeçaren (fillon sistemi i ri shkollor), me drejtor Kliti Nushi dhe nën/drejtor Lili Dhamo.
Grupet artistike të këtij gjimnazi do të ishin pjesëmarrës të përvitshëm jo vetëm në olimpiadat teatrale jubilare, por edhe duke kënduar në të katër anët e vendit në turnetë e estradës profesioniste dhe në koncertet e Shtëpisë së Kulturës. Ajo do të dallohej edhe për nivelin cilësor të rrethit letrar me mësuesit krijues Murat Nexha, Hasan Çobani, Hëna Çobani, Mira Ruci, Ilir Gjeçi, Efti Sinjari, Etleva Gogu, etj. Në fushën e krijimtarisë letrare të shumtë ishin talentet në prozë e poezi, ku mund të krenohet sot ky gjimnaz me shkrimtarët e poetët Halil Jaçellari, Izet Shehu, Kadri Fishta, Sherif Bali, Visar Zhiti, Fatbardh Rustemi, Bujar Xhaferri, Vladimir Çuni, Gëzim Hajdari, Shpend Sallaku, Vasil Bozo, Gazmend Kapllani, Lindita Arapi, ish nxёnёs tё kёsaj shkolle të cilët sot janë shkrimtarë e poetë në nivel kombëtar, por edhe me eksperiencë e botime në shumë shtete të Europës e deri nё Amerikё. Nxënës të këtij gjimnazi ishin edhe regjisori i teatrit të kukullave Llukan Kola, skulptori Hydbi Tarrelli, piktori Ilir Çakalli, arkitekti Besnik Aliaj, gazetarët e opinionistët Anila Basha e Mentor Nazarko etj.
Në vitet 1970 në strukturat e arsimit të mesëm të përgjithshëm u shtua në organikë pozicioni i drejtuesit artistik që mbulonte aktivitetet kulturore artistike të shkollës së mesme të përgjithshme dhe të shkollës mekanike, ku ndër vite kanë punuar Dashnor Kruja, Maksim Kulla e Edmond Bejko dhe kjo strukturë do të funksiononte deri në vitin 1990. Në këto vite të rinjtë e të rejat e kësaj shkolle përbënin bërthamën e të gjitha aktiviteteve kulturore artistike të qytetit. Në të gjitha aktivitetet e rëndësishme gjimnazi luante rolin kryesor, sidomos në festivalet e këngës së muzikës së lehtë.
Në këtë kohë kemi vënien në skenë të dramave shqiptare dhe të huaja, njëkohësisht u rrit cilësia e ansamblit të këngëve e valleve ku çdo vit do të zinin vende të para në festivalet që organizonte Shtëpia e Kulturës e Rrethit, një nga ato do të ishte vënia në skenë e dramës “Katër nga armata” e dramaturgut Serafin Fanku, me regji të Tahsin Demirajt, e cila mori flamurin e olimpiadës, ku interpretuan mësues e nxënës si Gëzim Amursi, Desdemona Shahini, Romeo Kice etj.
Ja çfarë kujton poeti Shpend Sallaku : “... jepte koncerte grupi artistik me dirigjent Dashnor Krujën e baletmaestër Vangjel Lalën, ku unë e të tjerë alternoheshim edhe si këngëtarë apo prezantues. Në atë periudhë në gjimnazin tonë “18 Tetori”, u organizuan dy seminare kombëtare për talentet e reja në letërsi e arte. Filluam të botojmë edhe në Tiranë. Ansambli ynë artistik u filmua disa herë nga Televizioni Shqiptar, “ushqenim” me talente estradën e teatrin e qytetit. Unë në atë periudhë edhe prezantoja, edhe luaja teatër, edhe këndoja në festivale dhe me estradën, ashtu si edhe të tjerë të ansamblit tonë, Aleksandër Bufi, Elida Korreshi, Elanda Xhelili, Merita Lola e Liliana Kanina. Gjatë frekuentimit të mëparshëm të Shtëpisë së Pionierit, falë këmbënguljes së mjeshtrit të muzikës Fotaq Filipeu, iu vura mandolinës dhe më pas kitarës dhe duke qenë se shkruaja poezi, ëndërroja të bëhesha kantautor…..”
Ansambli artistik i gjimnazit “20 Tetori” në vitin 1973, futi në repertorin e koncertit vallen “Alba”, një valle kjo që ishte e preferuar nga rinia në Tiranë dhe në shumë qytete të Shqipërisë dhe do të konkuronte në takimin kombëtar të ansambleve artistike të shkollave të mesme në qytetin e Vlorës. Vënia në skenë e valles “Alba”, por edhe tentativat për këngëtarët e shumtë të ftuar që jepnin shfaqje në Lushnjë u quajtën si influenca të huaja dhe si nënvleftësim i traditave më të mira të muzikës popullore. Në këto vite dhe më pas do të kishin një trysni dhe një kontroll më të rreptë e cila reflektohej në jetën artistike, por deri edhe me pasoja për krijues e interpretues. Çdo material apo premierë e veprave skenike apo koncertale kalonte në filtrin e komisioneve që zbatonin direktivat nga lart poshtë të ideologjisë që mbarte sistemi komunist.
Në këto vite pranë Shtëpisë së Kulturës së Rrethit u përgatit dhe u dha premiera e estradës amatore e titulluar “Kundër armikut zjarr” ku morën pjesë të rinj nxënës e punëtorë ku mund të përmendim Natasha Kola, Tahir Kollazi, Natasha Ndreka e Eleonora Karroqe etj.
Nxënësit që vinin nga shkolla 8-vjecare e që kishin marrë pjesë në festivalet e fëmijëve apo në ansamblet artistike filluan të aktivizoheshin në veprimtaritë kulturore artistike dhe në aktivitetet e Shtëpisë së Kulturës dhe të Estradës Profesioniste. Kemi Elida Korreshin, Aleksandër Bufin, Leonora Kola, Merita Lola, Liljana Kanina, Pranvera Hasanlliu, Flora Alla, Luan Kamani e më pas Rajmonda Milo, Marie Marku, Mimoza Kokomani, Valbona Myzeqari, Sonja Paceli, Brizida Skënderi etj, që jo vetëm morën pjesë gjallërisht në koncerte e festivale, por që edhe kënduan në të katër anët e vendit, në turnetë e estradës e në veprimtari kombëtare. Në vitet 80-të, këngëtaret Liljana Kanina, Elida Korreshi e më pas Luan Manahasa, do të merrnin pjesë gjallërisht në veprimtaritë kombëtare në koncerte e në festivalet e këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Shkolla e mesme “20 Tetori” në vitin 1986, festoi 30 vjetorin e krijimit të saj dhe padyshim që mbahet mend kori i madhështor i përbërë nga mësues e nxënës, duke u paraqitur me një program dinjitoz nën drejtimin e dirigjentit Llazi Borova dhe Udhëheqësit Artistik Maksim Kulla si dhe duke krijuar një atmosferë festive në Lushnjë me një repertor të larmishëm me këngë patriotike e këngë të muzikës popullore e të muzikës së lehtë, që pati jehonë për shumë vite me rradhë do të vazhdonte t’i jepte gjallëri jetës kulturore artistike të qytetit.
Deri në vitin 1991 do të funksiononte me një organizim më të centralizuar si rezultat edhe i sistemit monist që në të shumtёn e rasteve këto veprimtari i shfrytëzonte për propagandë. Fillimisht në sistemin Demokratik, do të synohej të përdoreshin forma të reja në përmbajtje, por që në të shumtën e rasteve dukej përsëritje e veprimtarive të planifikuara për evenimente historike të ngjarjeve në nivel lokal dhe kombëtar, pasi nuk kishin dalë rregullore të përcaktuara për funksionimin e strukturave të artit e të kulturës, por me kalimin e viteve do të përmisoheshin dhe do të riniste udhëtimin drejt shtigjeve të reja e të panjohura.
Ky gjimnaz megjithë vështirësitë që vinin nga mungesa e institucioneve të kulturës që vit pas viti po pësonin goditje duke i mbyllur kjo edhe për mungesë të projekteve se çfarë i duhej qytetit të Lushnjës, por edhe për faktin se Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e braktisi sistemin e kulturës në rrethe duke i lënë në varësi të pushtetit vendor. Në të shumtën e rasteve personat që u ngarkuan me drejtimin e strukturave te kulturës, nuk kishin kulturën e nevojshme për të punuar në drejtim të zgjidhjeve se çfarë vlerash duhen ruajtur, si duhet të funksiononte sistemi i artit e i kulturës, teatri, estrada, orkestra frymore, shkolla e muzikës, si dhe për kriteret e emërimit të specialistëve në pozicione ku mund të jepnin kontributin e tyre.
E në këto vështirësi përsëri gjimnazi i Lushnjës vazhdonte t’i jepte tonin ndoshta edhe për inerci jetës kulturore artistike të qytetit me forma të cilat nuk sollën gjëra të reja duke e bërë krahasimin me atë çka ishte bërë më parë, duke u kënaqur me realizimin e koncerteve apo veprimtarive të tjera në eventet me karakter historik të ngjarjeve të ndryshme.
Gjimnazi “18 Tetori” Lushnjë (kemi ndryshimin e emërtimit "20 Tetori"), në vitin 2008 zuri vendin e parë në Olimpiadën teatrore me dramën e Fadil Krajës “Gjaku i Arbërit” me regjisor mësuesin Engjëll Zerdelia, po kështu shumë nxënës që janë pjesëmarrës në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Lushnja” pranë Qendrës Kulturore “Vaçe Zela” dhe kemi mjaft botime me poezi dhe prozë nga mësues e nxënës të këtij gjimnazi. Mësues të tillë si Anila Toni, Engjëll Zerdelia, Flora Hajdari, Anila Sylari etj, kanë dhënë shumë për gjallërimin e jetës kulturore artistike të gjimnazit, duke përmendur edhe nxënës të talentuar si: Bianka Bakiasi (këngëtare), Gabriela Merrelli, Dorina Kloci (valltare), Rashela Mato, Entela Islamaj, Marsel Zere, Leonard Cenaj, Jurgen Kolziu e shumë të tjerë në grupin e teatrit.
Në shkollën bujqësore e krijuar në vitin 1969 e më pas e emërtuar si shkollë mekanike-bujqësore në vitin 1972, kemi një rritje të vazhdueshme e një pjesëmarrje masive të të rinjëve nisur edhe nga fakti që kishte nxënës nga të katër anët e Shqipërisë dhe që me aktivitetet e tyre shkëmbenin eksperienca nga zonat nga kishin ardhur. Një risi apo sukses në këto vite ishte edhe ideja për të organizuar festivalin folklorik me repertor nga të gjitha trevat e Shqipërisë e cila mori jetë dhe u konkretizua me festivalin e parë me pjesëmarrjen e 250 nxënësve kryesisht konviktor, të cilët interpretuan 150 pjesë instrumentale, këngë e valle popullore nga krahinat e veriut, të Shqipërisë së mesme e të jugut. Në skenën e montuar në menxën e konviktit e cila përdorej si sallë për koncerte u harmonizuan bukur vallet e larmishme, pjesët instrumentale me cifteli, fyej, pipëza etj, si dhe meloditë e bukura të këngëve të shoqëruar me instrumenta orkestrina popullore, me curle dyjare e me cifteli.
Organizimi i këtij festivali iu përshtat modelit të festivaleve kombëtare të Gjirokastrës dhe pritej mjaft sukses. Në këtë festival morën pjesë 10 grupe folklorike, ku në program zinin vend folklori burimor i këngëve dhe valleve popullore burimore myzeqare, të këngës labe e sidomos vallet e krahinës së Lunxhërisë e të Dropullit, vallja Devolliçe, këngë dhe valle të të gjithë krahinave të Veriut të Shqipërisë. Me këngët e vallet e tyre të bukura e të larmishme me kostumet e tyre shumë ngjyrëshe e origjinale sipas trevave nga ata ishin, krijuan një atmosferë festive në qytet, ku siç do të shohim me mjaft interes ndiqej edhe interpretimi i melodive të luajtura me fyej. Vlen të përmendet kënga “Këshilltarët e Hekalit”, kënduar nga Zyrako Merkaj, grupi polifonik miks i Mallakastrës dhe kënga e krijuar nga vetë nxënësit “Gëzon Girokastra dhe e gjithë Shqipëria” kënduar nga Agush Çafaj dhe grupi polifonik i djemve të Gjirokastrës, kënga “Gëzim të madh ka sot Mbishkodra”, kënduar nga dueti V.Lleshi-Z.Muco, u dallua grupi i djemve të veriut sidomos nxënësi i vitit të parë Shefit Fejzo në cifteli, me pipëza F. Kurti dhe T. Mesutllari nga Skrapari dhe Ymer Miraka nga Gramshi, Aleks Skëndaj nga Vlora me curle dyjare, Mystehak Goga nga Skrapari dhe R. Mullaliu nga Lushnja me meloditë me fyell.
Ky festival, i cili ishte i pari qe organizohej në Shkollën e Mesme mekanike-bujqësore, do të pasohej edhe nga dy festivale të tjera dhe më vonë do të vazhdonte në forma të ndryshme koncertale që jepte shkolla sipas një programi të përvitshëm duke bashkëpunuar edhe me institucionet artistike të rrethit. Një vit më vonë u zhvillua për katër ditë me rradhë Festivali i dytë Folklorik po në këtë shkollë, u paraqitën për konkurim rreth 100 këngë e valle popullore, ku u interpretuan nga më se 150 nxënës. Me flamurin e festivalit u nderua grupi i veriut dhe me çmimin e parë grupi i Përmetit, ky festival tregoi për mundësitë që kanë shkollat e mesme për të organizuar veprimtari të karakterit masiv e të ballafaqohen me interpretime të këngës e valles burimore nga trevat e Shqipërisë.