Dy të rinj janë zbuluar nga Policia e Shtetit pasi ka rezultuar se kanë qenë pritës të dy pakove postare që kishin në përmbajtje hashash me përmbajtje të lartë “THC”, nga Amerika. Njëri është arrestuar në Elbasan, kurse tjetri në Vorë është shpallur në kërkim.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas dhe me Degën Qendra Tranzite të Postës Shqiptare, zhvilluan së fundi:
- operacionin “Dërgesa 1”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi R. H., 32 vjeç, duke marrë në një degë postare në Elbasan, 2 pako me rreth 4 kg Cannabis, me përqindje të lartë THC;
- operacionin “Dërgesa 2”, gjatë të cilit u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. I., 21 vjeç, pasi dyshohet se do të merrte në një degë postare në Vorë, një pako me rreth 3.7 kg Cannabis, me përqindje të lartë THC.
Nga ana e shërbimeve policore po punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që kanë porositur lëndën narkotike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Bashkë me këtë operacion, ka shkuar në 5 numri i rasteve të trafikimit të Cannabisit nga ShBA, të goditura gjatë kësaj jave, nga Policia e Tiranës. Në total u sekuestruan rreth 10 kg Cannabis me përqindje të lartë THC dhe u identifikuan 8 shtetas të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
