
Nga Luela Myftari
Njihet më së shumti si një nga rilindasit. Ndonëse ka pak studime për të, shumëkujt mund t’i vijë në mendje emri i Jani Vretos si emër rruge, apo shkolle.
Albanologu Robert Elsie e ka quajtur “Gutenbergu i shqipes”, sepse që kur Jani Vretoja jetëzoi një shtypshkronjë në Bukuresht në vitin 1886, menjëherë iu përvesh punës për botimin e veprave të personaliteteve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës.
Që vitin e parë të funksionimit u botuan 10 tituj, si: “Vjersha për mësonjëtoret të para”, “Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para”, “Këndonjëtoreja”, të Naim Frashërit, mes tyre dhe veprat e vetë Vretos.
Botoi e ribotoi vepra të Sami dhe Naim Frashërit, mblodhi dhe përgatiti për botim me aparat kritik dhe shpjegime “Ervehenë” e Muhamet Kyçykut, si dhe riprodhoi vazhdimisht titujt ekzistues, sidomos librat që përdoreshin për mësimin e gjuhës dhe në gjuhën shqipe. Por, kush ishte Jani Vreto dhe pse zgjodha që këtë shkrim të parë të vitit 2025 t’ia dedikoj kësaj figure? Joshjen e pata nga një botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Sokol Çunga botoi në fund të vitit një letërkëmbim të Jani Vretos dhe Sotir Koleas. S’do mend që më intrigon ideja të lexoj çfarë mendimesh shkëmbenin dy nga mendjet e ndritura të Shqipërisë, ndonëse kur lexoj jetëshkrimin e tij më vjen ndër mend një këngë që ne shqiptarët e këndojmë edhe në dasma: “Koka në Stamboll e trupi në Janinë”, sepse rrugëtimi i tij ka qenë vërtet i tillë.
Dua gjithësesi të besoj se mendjen e ka pasur gjithnjë te shqiptarët dhe gjuha shqipe. Fundivitin e kalova duke lexuar e rilexuar letrat e Vretos drejtuar Koleas, se aty ka perla, në raport me figura si Ismail Qemali, që në rastin e Shoqërisë greko-shqiptare DODONA, i prish punë Jani Vretos, i cili synonte të botonte në Athinë libra shqip, me kontributin e arvanitëve të atjeshëm.
Mund të duket e pabesueshme sot, por Ismail Qemali atë kohë “përhapte fjalë” për Jani Vreton duke penguar kështu misionin e tij, dhe këtë ia tregon përmes një letre vetë Jani Vreto mikut të tij, Sotir Koleas.
Me kujdes përzgjodha disa nga ngjarjet që kanë shoqëruar veprimtarinë e tij, për të intervistuar më pas Sokol Çungën, arkivistin që ka bërë bashkë në këtë botim letërkëmbimet. Mendimi i parë ishte: ta botoj në janar meqenëse lindi më 14 janar të 1822 pranë Leskovikut. Mendimi i dytë ishte raporti i tij me Faik Konicën, një nga mendjet - polemikat e të cilit unë, i adhuroj.
Por, në ato letra që i besonte lexuesit shqiptar Sokol Çunga gjeta shumë më shumë dhe biseda ime me të kalonte përtej dimensionit studimor të Jani Vretos, që mësimet e para i mori në shkollën greqishte të fshatit dhe që më tej u arsimua në shkollën Zosimea të Janinës.
Njeriu që jetoi mes Janinës, Stambollit, Korçës, Bukureshtit dhe vdiq në Athinë mes skamjes dhe dhembjeve, që nuk kishte turp t’i shkruante, - një mike e imja do të thoshte se ky ishte viktimizim, - kontribuoi, gjithsesi, në gjuhën me të cilën unë po shkruaj sot këtë shkrim…
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e ri të muajit Janar të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg më 22 Janar dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…