Donald Trump mbajti një fjalim, në të cilin akuzoi Kinën për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe pretendoi se ekzistonin "dobësi tronditëse" në sistemet amerikane të votimit.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë ditën e djeshme, Trump përsëriti pretendimet e tij të mëparshme për mashtrim zgjedhor dhe ndërhyrje të huaj në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i humbi përballë Joe Biden.
Gjatë fjalimit, të mbajtur tre muaj para zgjedhjeve të mesit të mandatit, ai deklaroi se kishte deklasifikuar qindra dosje të inteligjencës, të cilat mbështesnin pretendimet se Pekini ishte përpjekur të ndikonte në zgjedhje në favor të Bidenit.
Trump foli në prani të disa anëtarëve të ekipit të tij të ngushtë, ndërsa gazetarëve nuk iu lejua të bënin pyetje.
Në fjalën e tij, ai akuzoi Kinën për "përvetësimin e paligjshëm" të 220 milionë dosjeve të votuesve, që sipas tij përmbanin edhe të dhëna personale. Ai gjithashtu deklaroi se të dhënat e votuesve në 18 shtete ishin "blerë, vjedhur ose hakuar nga Kina" dhe akuzoi personat përgjegjës se nuk ua kishin raportuar këtë informacion autoriteteve qeveritare apo Kongresit.
Megjithatë, Trump nuk paraqiti prova që të mbështesnin pretendimet se Kina kishte përdorur këto të dhëna për të manipuluar sistemet e votimit ose për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
