Menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit në zgjedhjet parlamentare në Hungari, ka ardhur edhe reagimi i parë nga rivali i kryeministrit aktual, Viktor Orban. Lideri i opozitës hungareze, Peter Magyar, përmes një postimi në rrjetet sociale, është shprehur se vendi është në prag të një ndryshimit të sistemit.
Ai lë të kuptohet se modeli aktual i qeverisjes po shkon drejt fundit, ndërsa nënvizon nevojën për qetësi dhe përmbajtje nga qytetarët në këtë fazë vendimtare.
“Regjimi po jeton orët e tij të fundit, jemi në prag të një ndryshimi sistemi. Le ta kalojmë së bashku! Të qëndrojmë të gjithë të qetë dhe me humor të mirë: koha është në anën tonë! Zoti e bekoftë Hungarinë”, shkruan ai.
Mesazhi i liderit opozitar vjen në një kohë kur pjesëmarrja në votime ka arritur një nivel rekord prej 77.8%, një tregues i qartë i mobilizimit të lartë qytetar dhe interesit të jashtëzakonshëm për këto zgjedhje. Ai ka bërë thirrje për unitet dhe besim, duke reflektuar optimizëm për rezultatin dhe zhvillimet që pritet të pasojnë.

