Hapësire reklamuese

Bota

Partia e Le Pen fiton rundin e parë të zgjedhjeve në Francë

Shkruar nga Newsbomb

Partia e Le Pen fiton rundin e parë të zgjedhjeve në Francë

Partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, i Marine Le Pen ka dalë fituese në rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në Francë më 30 qershor, sipas sondazheve.

Sondazhet e kryera nga Ipsos, Ifop, OpinionWay dhe Elabe parashikuan që partia e Le Pen do të fitojë rreth 34 për qind të votave. Mbështetësit e Marine Le Pen gjatë fjalimit të saj pas përmbylljes së rundit të parë të zgjedhjeve parlamentare.
Pas mbylljes së vendvotimeve, Le Pen iu adresua votuesve duke kërkuar që t'i japin Tubimit Kombëtar një "fitore absolute" në Parlamentin prej 577 ulësesh.

Sipas sondazheve, Le Pen pritet të ketë shumicën në Parlament dhe pas rundit të dytë edhe shumicën absolute, duke i mundësuar që për herë të parë kjo parti e ekstremit të djathtë të jetë në pushtet.

Sipas projeksioneve, aleanca e krahut të majtë e Frontit të Ri Popullor ka fituar 28.5-29.1 për qind të votave, ndërkaq e treta radhitet aleanca centriste e presidentit fracez, Emmanuel Macron me 20.5-21.5 për qind.

Pas rundit të parë të zgjedhjeve, Macron bëri thirrje për një aleancë "të gjerë" kundër ekstremit të djathtë gjatë rundit të dytë të zgjedhjeve.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kishin rreth 49 milionë votues dhe dalja në rundin e parë ishte e lartë. Organizata Elabe parashikoi se dalja përfunditmare është 67.5 për qind, apo pjesëmarrja më e lartë në zgjedhjet parlamentare në Francë që nga viti 1981. Dalja përfundimtare në zgjedhjet e vitit 2022 ishte vetëm 47.5 për qind.

Në rundin e parë u mbajtën gara në 577 njësi zgjedhore, një për secilën ulëse në Asamblenë Kombëtare, Dhomën e Ulët të Parlamentit. Sipas sistemit zgjedhor francez, kandidatët që shënojnë fitore me shumicë absolute në njësinë e tyre zgjedhore, zgjidhen në rundin e parë. Në rast se kandidatët nuk plotësojnë këtë kriter, atëherë do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve.

Për t’u kualifikuar për balotazh, kandidatët duhet që në rundin e parë të fitojnë vota nga të paktën 12.5 për qind e votuesve të regjistruar. Kandidati që fiton më së shumti vota, garon në rundin e dytë. Rundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar të mbahet më 7 korrik dhe do të garojnë ato njësi ku kandidatët nuk kanë arritur të fitojnë shumicë absolute në rundin e parë dhe më pas do të dihet përbërja përfundimtare e Asamblesë Kombëtare të Francës.

Vendimi i Macronit për të thirrur zgjedhje të parakohshme erdhi pasi Tubimi Kombëtar doli mirë në zgjedhjet Parlamentare që u mbajtën këtë muaj, duke habitur miqtë dhe armiqtë dhe nxitur paqartësi në ekonominë e dytë më të madhe të Evropës.

Votimet, me dy runde, mund ta sjellin në pushtet ekstremin e djathtë në Francë për herë të parë që nga pushtimi naziste në Luftën e Dytë Botërore dhe mund t’i japin kryetarit të kësaj partie, Jordan Bardella, 28 vjeç, shansin që të formojë Qeverinë.

Kjo do të krijonte një periudhë të tensionuar të “bashkëjetesës” me Macronin, i cili ka insistuar se do të çojë deri në fund mandatin e tij të dytë presidencial – që përfundon më 2027 – pavarësisht se cila parti fiton zgjedhjet.

Bardella ka thënë se ai do të formojë Qeverinë vetëm nëse Tubimi Kombëtar shënon fitore absolute në zgjedhje. Para zgjedhjeve, Macron paralajmëroi votuesit se një fitore nga ekstremi i djathtë apo nga e majta e fortë, mund të nxisë një “luftë civile”.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese