Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, doli sot në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, ku foli mbi zhvillimet e fundit të operacioneve ushtarake kundër Iranit, të cilat kanë hyrë në ditën e tretë.
Gjatë fjalës së tij, Trump theksoi se objektivi kryesor i ndërhyrjes është neutralizimi i kapaciteteve raketore dhe bërthamore të regjimit iranian, të cilin e cilësoi si një kërcënim serioz për rajonin dhe për vetë popullin amerikan.
Trump deklaroi se programi raketor i Iranit kishte për qëllim mbrojtjen e zhvillimit të armëve bërthamore dhe se paralajmërimet e vazhdueshme të Uashingtonit ishin injoruar nga Teherani.
Presidenti nënvizoi se një Iran i armatosur me armë bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë veprimi do të përbënte një kërcënim të patolerueshëm për Lindjen e Mesme dhe për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
“Regjimi iranian i armatosur me raketa të rrezikshme, përbente rrezik jo vetëm për Lindjen e Mesme por edhe popullin amerikan, vendi ynë ishte në kërcënim. Ka qenë një regjim i dhunshëm”, tha Trump, teksa shtoi se operacionet luftarake në shkallë të gjerë po vijojnë me qëllim eliminimin e këtyre rreziqeve, duke përfshirë goditje ndaj kapaciteteve detare dhe shkatërrimin e disa anijeve të flotës iraniane.
Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara ishin të vendosura të ndalonin çdo përpjekje të Iranit për të siguruar armë bërthamore, duke rikujtuar qëndrimin e tij të kahershëm kundër marrëveshjes së mëparshme bërthamore.
"Irani me veprimet që kishte ndërmarrë përbënte kërcënim të fortë për njerëzit tanë dhe forcat tona, informacionet tona na thonin se Irani kishte raketa që të mund të na arrinin. Ata kishin ndërmarrë hapa të mëtejshëm për zhvillimin e programit bërthamor që do e bënte të vështirë të merreshin masa. Regjimi iranian i armatosur me raketa të rrezikshme, përbente rrezik jo vetëm për Lindjen e Mesme por edhe popullin amerikan, vendi ynë ishte në kërcënim. Ka qenë një regjim i dhunshëm.
Ata ishin gati të kërcënonin Amerikën tonë të bukur me raketa bërthamore. Marrëveshja e Obamës ishte e tmerrshme, krenar që e lamë atë. Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore.
E kam menduar që në mandatin e parë, kjo ishte mundësia jonë e vetme për të rrëzuar regjimin. Së pari po rrëzojmë kapacitetet raketore të Iranit, po sulmojmë marinën e tyre, kemi shkatërruar 10 anije të flotës iraniane, në vijim të mesazhit që ata nuk mund të kenë kurrë një armë bërthamore", tha Trump ndër të tjera.

