Presidenti Donald Trump pranoi të premten se po përballej me një zgjedhje të vështirë se si të vepronte me Iranin, pasi përpjekjet diplomatike kanë rezultuar të pakënaqshme. Sipas tij, vendimi nuk ishte “i lehtë” dhe se Irani kishte kohë që ishte i përfshirë në sjellje të liga.
«Kemi një vendim të madh për të marrë», i tha ai një turme në Corpus Christi të Teksasit, ku po promovonte axhendën e tij për energjinë.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por duhet të bëjnë një marrëveshje kuptimplote”, tha presidenti. Ai tha se ishte konsultuar me dy senatorët republikanë të Teksasit, Ted Cruz dhe John Cornyn, në bordin e Air Force One ndërsa fluturonte për në këtë shtet.
“Thashë që duhet të bëjmë një marrëveshje kuptimplote”, tha Trump, duke shtuar: “Do të preferoja ta bëja në mënyrë paqësore. Por ata janë njerëz shumë të vështirë.”
Departamenti Amerikan i Shtetit gjithashtu i ka paralajmëruar amerikanët të mos udhëtojnë drejt Iranit dhe u ka kërkuar të gjithë shtetasve amerikanë atje, të largohen menjëherë.
Ndërsa Irani dhe ndërmjetësi Oman shfaqën optimizëm në lidhje me bisedimet me SHBA-në në Gjenevë të enjten, duke thënë se ishte bërë përparim i madh, e njëjta gjë nuk vlen për palën amerikane.
Raportet thanë se përfaqësuesit amerikanë, përfshirë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u larguan nga Gjeneva mjaft të “zhgënjyer” pasi nuk ishin të kënaqur me progresin e bisedimeve.
