Pas një gare të ashpër zgjedhore, kryeministri hungarez Viktor Orban ka pranuar humbjen ne zgjedhjet parlamentare, duke marrë fund kështu epoka e tij 16-vjeçare në pushtet.
Në një fjalim përpara mbështetësve ai tha se rezultati është i qarte por edhe i dhimbshëm. Ai konfirmoi gjithashtu se ka telefonuar rivalin e tij politik, Peter Magyar, për ta uruar për fitoren.
Nga ana tjetër, lideri i opozitës Peter Magyar, kreu i partisë Tisza, publikoi një mesazh në Facebook ku shkruante: “Viktor Orban sapo më telefonoi dhe na uroi për fitoren tonë”. Më herët, ai falenderoi vendin me një postim të shkurtër: “Faleminderit Hungari”.
Rezultatet e para tregojnë se partia Tisza ka fituar 135 vende në parlamentin hungarez, i cili ka gjithsej 199 vende. Ndërkohë, partia Fidesz e Orban ka siguruar vetëm 57 vende, ndërsa Mi Hazank ka 7. Ky rezultat i jep opozitës shumicën e nevojshme prej 2/3, duke i hapur rrugë një ndryshimi historik në politikën hungareze.
Magyar ka theksuar më herët se gjatë procesit zgjedhor janë marrë disa ankesa për mashtrime dhe përpjekje për të ndikuar në rezultat. Ai paralajmëroi se do të ketë hetime dhe, nëse është e nevojshme, veprime ligjore:
“Kushdo që ka kryer ose nxitur mashtrim zgjedhor do të mbajë përgjegjësi para ligjit”.
Ky është një moment historik për Hungarinë duke mbyllur një kapitull të gjatë nën qeverisjen e Viktor Orban dhe duke hapur një epokë të re politikë nën drejtimin e Peter Magyer.
