Agjencia iraniane e lajmeve “Fars”, e konsideruar si e afërt me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, ka publikuar në rrjetet sociale një video provokuese me titullin në anglisht "Where to Assassinate Trump?" ("Ku mund ta vrasësh Trumpin?"), duke shkaktuar reagime të forta.
Sipas raportimeve të Agjencisë së Lajmeve të Athinës, videoja u shpërnda përmes kanalit zyrtar të Fars në Telegram. Një version i saj ishte publikuar edhe në platformën X, por më pas u fshi.
Në pamjet e videos pretendohet se paraqitet itinerari që ndjek autokolona e presidentit amerikan Donald Trump drejt rezidencës së tij në Mar-a-Lago, në Florida. Në video identifikohet një urë si një pikë e mundshme e cenueshme përgjatë rrugës, duke ngritur shqetësime për përmbajtjen e saj.

Raportet kujtojnë gjithashtu se rruga e Trump drejt rezidencës në Florida ishte ndryshuar në janar të vitit 2026, pasi në një aeroport u zbulua një objekt i dyshimtë.
Publikimi i kësaj videoje vjen në një klimë tensionesh të larta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pas thirrjeve të zyrtarëve iranianë për hakmarrje për vrasjen e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Sipas raportimeve, Khamenei u vra më 28 shkurt gjatë një sulmi ajror izraelit ndaj rezidencës së tij zyrtare.
Gjatë samitit të NATO-s të mbajtur javën e kaluar në Ankara, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se beson se Irani e ka vënë në shënjestër.
"Unë jam numri një në listën e objektivave të Iranit", u shpreh Trump para gazetarëve.
