Pekini hodhi poshtë këtë të premte pretendimet e presidentit Donald Trump se Kina ka ndërhyrë në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.
“Akuzat e SHBA-së nuk kanë bazë faktike dhe synojnë të shpifin Kinën”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lin Jian.
Më herët, Trump pretendoi se duke filluar nga cikli zgjedhor i vitit 2020, Kina kishte siguruar 220 milionë dosje të votuesve amerikanë, duke e cilësuar këtë si “komprometimin më të madh të të dhënave zgjedhore në histori”.
Gjatë një fjalimi drejtuar publikut, Trump njoftoi deklasifikimin e dokumenteve të inteligjencës, të cilat dëshmojnë për ndërhyrje të gjera të huaja dhe dobësi serioze në sistemet zgjedhore të SHBA-së.
Megjithatë, Lin Jian deklaroi se akuza të ngjashme “janë provuar prej kohësh se janë të pabazuara”.
“Kina i përmbahet parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera. Kina nuk ka interes të ndërhyjë në zgjedhjet e SHBA-së dhe nuk e ka bërë kurrë këtë”, tha ai.

