Një ngjarje tronditëse është shënuar në SHBA, ku është tentuar të vritet me armë ish-presidenti dhe kandidati për president Donald Trump.
Trump ishte duke zhvilluar fushatën e tij në Pensilvani, teksa u qëllua me armë. Ish-presidenti u plagos në veshin e djathtë, teksa ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Nga kjo ngjarje u shkaktua një viktimë dhe dy të plagosur. Të tre personat janë meshkuj në moshë të rritur, raportojnë mediat e huaja.
Në lidhje me këtë ngjarja që ka marrë vëmendjen e gjithë botës, ka reaguar edhe FBI. Oficeri në terren i FBI-së Kevin Rojek konfirmoi se incidenti po trajtohej si një tentativë për vrasje.
"Këtë mbrëmje patëm atë që ne e quajmë një atentat ndaj ish-presidentit Donald J Trump. Është ende një skenë aktive krimi," shtoi ai, duke theksuar se ata kishin një numër agjentësh në vendngjarje që hetonin incidentin.
Kjo ngjare ka vënë në qendër të vëmendjes mungesën e dukshme të sigurisë dhe disa po tregojnë gjithashtu me gisht Shërbimin Sekret për lejimin e një sulmuesi që arriti deri në fazën që të hap zjarr.
Vetë ish-presidenti falënderoi Shërbimin Sekret dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit "për reagimin e tyre të shpejtë mbi të shtënat që ndodhën".
Por pyetjet po ngrihen dhe disa e quajnë atë një "dështim të plotë" nga ana e Shërbimit Sekret. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson u zotua se Dhoma do të kryejë një hetim të plotë.
“Populli amerikan meriton të dijë të vërtetën. Ne do të kemi Drejtoreshën e Shërbimit Sekret Kimberly Cheatle dhe zyrtarë të tjerë të përshtatshëm nga DHS dhe FBI të paraqiten për një seancë dëgjimore përpara komiteteve tona sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
