Udhëheqësi i opozitës, Péter Magyar, duket gjithnjë e më i sigurt në fitore, pas rezultateve të para që e nxjerrin partinë Tisza në krye të zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara këtë të diel në Hungari. Në një mesazh të shkurtër por domethënës në Facebook, ai shkroi: “Faleminderit Hungari”. Ndërkohë, ende nuk ka asnjë reagim nga kryeministri Viktor Orban.
Sipas të dhënave aktuale, me gati gjysmën e votave të numëruara (45.71%), Tisza është në rrugën e duhur për të siguruar 135 vende në parlamentin e ri me 199 vende – shumicën e nevojshme prej 2/3. Ndërkohë, Fidesz i Viktor Orbán ka rënë në 57 vende, ndërsa Mi Hazank i ekstremit të djathtë ka 7.
Kujtojmë se procesi i votimit në Hungari u mbyll pas një gare të ashpër politike, që vjen pas 16 viteve nën drejtimin e kryeministrit Viktor Orban. Autoritetet zgjedhore kanë njoftuar se rezultatet zyrtare nuk do të publikohen menjëherë, ndërsa disa qendra votimi qëndruan hapur më gjatë për të lejuar qytetarët në radhë të ushtrojnë të drejtën e votës.
Pjesëmarrja arriti në një nivel rekord prej 77.8% rreth një orë para mbylljes së votimit, duke tejkaluar rekordin e vitit 2002. Magyar e cilësoi këtë si një tregues të rëndësisë që hungarezët i japin zgjedhjeve.
