Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi përsëri publikisht sulmet e Izraelit në Liban, ndërsa konflikti vdekjeprurës kërcënon të përmbysë negociatat SHBA-Iran.
Ai u shpreh se ka luftuar Hezbollahun e mbështetur nga Irani për “shumë kohë”, duke shtuar se “shumë njerëz po vriten”.
“Nuk ke pse të shembësh një pallat sa herë që kërkon dikë, sepse ka shumë njerëz në ato pallate dhe nuk janë të gjithë Hezbollahu”, tha Trump në samitin e Grupit të 7 vendeve më të zhvilluara (G7) në Francë, në të cilin do të marrë pjesë përsëri sot. Më tej ai shprehu sërish zhgënjimin e tij me Natanyahun, duke u thënë gazetarëve se ai duhej të ishte më i përgjegjshëm në lidhje me Libanin.
Ndërkohë Misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) raportoi një "nivel të reduktuar ndjeshëm" të dhunës përgjatë kufirit Izrael-Liban, duke përmendur marrëveshjen SHBA-Iran si një "ndikim pozitiv në situatë". Por ushtria izraelite ende nuk i ka ndaluar plotësisht armiqësitë, duke vrarë të paktën katër persona në sulme të ndara të martën në Liban.
Nga ana tjetër ushtria Iraniane, ka paralajmëruar Izraelin të ndërpresë ofensivën e saj në Libanin jugor kundër Hezbollahut, duke kërcënuar me një "përgjigje të ashpër" nëse agresioni vazhdon. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se Teherani e sheh konfliktin në Liban si "të lidhur dhe të ndërvarur" me luftën midis SHBA-së dhe Iranit. Irani ka kërkuar prej kohësh që Izraeli të tërhiqet nga Libani si pjesë e marrëveshjes së tij me SHBA-në.
Sugjerimi i Trump në lidhje me këtë situatë qe që Izraeli të linte presidentin sirian Ahmed Al-Sharaa “të kujdesej për Hezbollahun”.
