Presidenti i Shteteve të Bashkaura të Amerikës, Donald Trump ka publikuar foton e parë të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, pasi ai dhe bashkëshortja e tij u arrestuan nga forcat speciale amerikane.
Maduro shihet brenda një avioni ushtarak, me pranga në duar. Në fotografi, ai shfaqet i veshur me rroba me ngjyra të çelëta dhe i ulur mes dy personave të veshur me uniforma kamuflazhi, një në secilën anë.
Më herët, përmes një postimi në rrjetin Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se udhëheqësi venezuelian ndodhej së bashku me gruan e tij dhe se të dy ishin nxjerrë jashtë vendit. Sipas tij, operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara.
Sipas informacioneve të cituara nga zyrtarë amerikanë për CBS News, arrestimi i Maduros dhe i bashkëshortes së tij dyshohet se është kryer herët në mëngjesin e së shtunës nga anëtarë të Delta Force, njësia elitare e operacioneve speciale të ushtrisë amerikane. Kjo njësi njihet edhe për misionin e vitit 2019 që çoi në eliminimin e ish-udhëheqësit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.
Kujtohet se Nicolas Maduro ndodhet në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet amerikane që prej vitit 2020, nën akuza për përfshirje në trafik masiv të drogës drejt Shteteve të Bashkuara.
