Policia e Korçës ka arritur të zbardhë atentatin e ndodhur një ditë më parë në qytetin e Pogradecit, ku 35-vjeçari Brian Syzo mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri. Si rezultat i hetimeve intensive, janë identifikuar katër persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje, ndërsa dy prej tyre janë vënë në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Burime për mediat bëjnë me dije se në pranga kanë rënë Nikolas Agolli, 24 vjeç, banues në Buçimas dhe David Prifti, 30 vjeç, banues në lagjen nr. 1 të Pogradecit. Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim shtetasit M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2 të Pogradecit, dhe E. A., 22 vjeç, banues në Buçimas.
Sipas hetimeve të Specialistëve për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe nën drejtimin e Prokurorisë, katër të dyshuarit kanë organizuar atentatin ndaj Brian Syzos për shkak të konflikteve të mëparshme mes palëve. Ata dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 35-vjeçarit, teksa ai ndodhej në lagjen nr. 3 të qytetit të Pogradecit.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se atentati dyshohet të jetë vazhdim i një konflikti të hershëm mes familjeve Agolli dhe Syzo. Hetimet kanë nxjerrë në pah se ngjarja lidhet me plagosjen e ndodhur rreth një vit e gjysmë më parë, kur Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos, dyshohet se plagosi me thikë Nikolas Agollin brenda një berberhaneje në Pogradec. Agolli mori disa plagë në trup dhe që prej asaj kohe konflikti mes palëve nuk ishte shuar.
Sipas burimeve, dyshohet se plagosja e Brian Syzos ishte një akt hakmarrjeje për atë ngjarje. Ditën e atentatit, Nikolas Agolli ka qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje në drejtim të fuoristradës me të cilën po udhëtonte Brian Syzo. Për shkak të lartësisë së mjetit, plumbat kanë depërtuar në derën e automjetit dhe e kanë goditur 35-vjeçarin në gjymtyrët e poshtme.
Pas të shtënave, shërbimet e Policisë reaguan menjëherë, duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e Nikolas Agollit vetëm pak minuta pas ngjarjes. Më pas, gjatë vijimit të hetimeve, u dokumentua përfshirja edhe e tre personave të tjerë në organizimin dhe realizimin e atentatit.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar tre automjete që dyshohet se janë përdorur nga autorët, si dhe gjashtë aparate celularë, të cilët do t'i nënshtrohen ekspertizave për të zbardhur komunikimet dhe rolin e secilit prej të përfshirëve.
Brian Syzo vijon të marrë trajtim mjekësor dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit". Hetimet vijojnë për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rolit të secilit në atentat.
