Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në qytetin bregdetar ku një 45-vjeçar nga Sllovenia është masakruar me thikë nga disa persona.
Përmes një njoftimi zyrtar Policia e Shtetit ka bërë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 të mbrëmjes së sotme në zonën e Shkallnurit, ku dyshohet se shtetasi slloven me ininciale M.M, është konfliktuar fizikisht me disa persona të cilët ende nuk janë identifikuar nga policia.
45-vjeçari i cili jetonte në kushte endacake është konfliktuar me këta persona, konflikt i cili ka përshkallëzuar deri në përdorimin e mjeteve të ftohta. Si pasojë ai ka marrë lëndime dhe aktualisht ndodhet në spital ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë konflikt.
“Rreth orës 21:30, në zonën e Shkallnurit, dyshohet se shtetasi M. M., rreth 45 vjeç, nga Sllovenia, (i cili dyshohet se jetonte në kushte endacake), është konfliktuar fizikisht me disa persona, ende të paidentifikuar, të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e konfliktit, 45-vjeçari ka pësuar dëmtime fizike, të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës, dhe ndodhet në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
