Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus iu bashkua sot protestës së qytetarëve. Në fjalën e saj Paulus ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama. Ajo tha se qeveria duhet të anulojë ligjet e bëra me porosi.
Duke përgëzuar qytetarët për qëndresën e tyre, eurodoputetja theksoi se pasuritë natyrore nuk mund të shkatërrohen për interesa të oligarkëve. Ajo zbuloi edhe një bisedë private që kishte zhvilluar para disa kohësh me kryeministrin Rama, duke pretenduar se ky i fundit i kishte kërkuar të bllokonte një amendament në Parlamentin Evropian.
“Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe e mrekullueshme dhe është kaq bukur t’ju shoh që luftoni për natyrën, për flamengot dhe kundër oligarkëve që duan të shkatërrojnë atë natyrë. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë betejë dhe do përcjellim zërin tuaj në Bruksel dhe do themi se Shqipëria nuk është në shitje, natyra nuk është në shitje!
Po luftoni për vendin tuaj, por edhe për të drejtat tuaja, për t’u dëgjuar. Sepse kjo është në ligjet evropiane. Nëse Shqipëria do bashkohet me BE, që ju e meritoni kaq shumë, atëherë qeveria juaj duhet të ndryshojë ligjin, duhet të heqë ligjin që kanë ndryshuar për miliarderët dhe që nuk e bënë për të mirën e shqiptarëve, por vetëm për xhepat e tyre dhe miqtë e tyre! Faleminderit për këtë protestë edhe pse qeveria kërkon t’ju intimidojë dhe t’ju largojë nga të drejtat tuaja.” u shpreh Paulus.
