Azgan Mernica është shqiptari më i kërkuar orët e fundit, pasi ekzekutoi me armë zjarri efektivin e "Shqiponjave" Novruz Cenaliaj në fshatin Baltëz të Fierit. Shkak është bërë një konflikt i çastit për një parakalim/parkim i cili ka degjeneruar në përdorimin e armës.
28 vjeçari ishte i veshur me uniformën e Policisë së Shtetit dhe sapo ishte nisur nga shtëpia për të marrë detyrën, kur është ndeshur në rrugë me Azgan Mernicën. Në debat e sipër, 23 vjeçari e ka qëlluar me plumb në kokë efektivin e "Shqiponjave".
Shteti është në këmbë për lokalizimin dhe prangosjen e autorit të ngjarjes, i cili prej gati 24 orësh është në arrati.
Fisi Mernica njihej në zonë për aktivitet të theksuar kriminal pasi disa nga të rinjtë e tij janë shoqëruar e ndaluar nga Policia e Shtetit për ngjarje të ndryshme, ndërsa vëllai i Azgan Mernicës është dënuar me 19 vite burg për vrasjen e një të riu katër vite më parë.
Nga një vëzhgim në rrjetet sociale, del se autori i vrasjes së policit ka qenë i angazhuar me strukturat e Partisë Demokratike, në krah të deputetit fierak Luan Baçi. Gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, Azgan Mernica ka qenë pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës.
"Me te tille djem, ka vetem fitore! Jemi gati, per mbrojtjen e votes", shkruan Luan Baçi mbi fotografinë që ka ndarë tre vite më parë.
Një strukturë paralele ilegale që u ngrit nga Partia Demokratike për të mbrojtur votën dhe më disa ditë para zgjedhjeve, në Elbasan u vra nga kjo strukturë mjeku dhe militanti i Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvani.

