Gjendja e efektivit Edison Adri, i cili u plagos ditën e enjte në gjatë aksionit në Maliq nga krimineli Violand Braçellari, tashmë është e qëndrueshme, kështu ka lajmëruar spitali i Traumës ditën e sotme.
Në një deklaratë të bëre nga “Trauma”, mësojhet se efektivi është ende i intubuar, por me parametra jetësorë të qendrueshëm si edhe në përmirësim të vazhdueshëm.
“Gjendja shëndetësore e efektivit të Policisë, i ardhur nga Korça dhe i shtruar pak ditë më parë në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), vijon të jetë i intubuar, me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Ekipi mjekësor i SUT-së do të vijojë ndjekjen në dinamikë të gjendjes shëndetësore të efektivit të Policisë dhe do të informojë mbi çdo zhvillim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e Spitalit të Traumës.
Kujtojmë se mëngjesin e ditës së djeshme një ngjarje e rëndë dhe tragjike tronditi vendin, pasi një efektiv i Policisë së Shtetit humbi jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim në zonën e Lozhanit, në Maliq, Violand Braçellari.
Si pasojë e të shtënave, efektivi i forcave "Shqiponja", Enea Mekolli, 34 vjeç, mbeti i vrarë në krye të detyrës, duke mos arritur t'u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë, kolegu i tij, Edison Adri, 36 vjeç, mbeti i plagosur në pjesën e nofullës.
Ndërsa në nder të të ndjerit Enea Mekolli kanë mbajtur sot homazhe ne qytetin e Pogradecit, ku miq, familjarë e kolegë mes lotësh e përcollën “Dëshmorin e Atdheut” për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij, pranë të vëllait i cili ndërroi jetë një vit më parë.
