Është zbardhur vendimi i miratuar një ditë më parë nga Këshilli i Qarkut të Shkodrës, i cili propozon që gjyqtari Astrit Kalaja, i vrarë në krye të detyrës më 6 tetor 2025 të shpallet "Dëshmor i Atdheut".
Vendimi është përshëndetur edhe nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, e cila thekson se kjo ishte një nga kërkesat unanime të Konferencës së Gjyqtarëve, të mbajtur më 9 tetor 2025.
"Kjo ka qenë një nga kërkesat e paekuivokta dhe unanime të Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më datë 9 tetor 2025 dhe se për rrjedhojë vendimmarrja e Këshillit të Qarkut Shkodër mirëpritet dhe përshëndetet nga Shoqata si një hap i rëndësishëm në finalizimin e procesit administrativ të njohjes dhe dhënies së këtij statusi", thuhet në reagimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.
Në reagimin e saj, Shoqata u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të përshpejtojnë procedurat për dhënien zyrtare të statusit "Dëshmor i Atdheut", duke e cilësuar këtë si trajtimin e duhur ligjor dhe institucional për çdo funksionar të shtetit që humb jetën gjatë ushtrimit të detyrës.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra më 6 tetor 2025, pasi u qëllua me armë brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Ragip dhe Ervis Kurti, babë e bir, të cilët ishin palë në procesin gjyqësor për një konflikt të hershëm pronësie.
Deklarata e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me interes vendimmarrjen e Këshillit të Qarkut Shkodër për dhënien e statusit të “Dëshmorit të Atdheut” gjyqtarit, Z. Astrit Kalaja, i cili u vra më datë 6 tetor 2025, në krye të detyrës.
Kjo ka qenë një nga kërkesat e paekuivokta dhe unanime të Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më datë 9 tetor 2025 dhe se për rrjedhojë vendimmarrja e Këshillit të Qarkut Shkodër mirëpritet dhe përshëndetet nga Shoqata si një hap i rëndësishëm në finalizimin e procesit administrativ të njohjes dhe dhënies së këtij statusi.
Gjithashtu Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon dhe inkurajon edhe institucionet e tjera kompetente që të përmbyllin në një kohë sa më të shpejtë procesin e njohjes dhe dhënies së statusit të “Dëshmorit të Atdheut” për gjyqtarin Z. Astrit Kalaja, me bindjen se ky është trajtimi i denjë dhe ligjor i cilitdo shtetar që vritet në krye të detyrës.
