Hapësire reklamuese

Aktualitet

Koncerti i Kanye West në Tiranë, profesori Roland Lami: Mundësia e Shqipërisë të hapet me botën, jo një mbrëmje argëtimi por ngjarje që do të mbushë hotele e restorante

Shkruar nga Newsbomb
Koncerti i Kanye West në Tiranë, profesori Roland Lami: Mundësia
Ilustrim: Roland Lami dhe skena per koncertin e Kanye West

Shkruan Roland Lami

Koncerti i Kanye West dhe haxhiqamilet

Ka një tendencë nga grupe të caktuara brenda protestave që ta kanalizojnë debatin drejt koncertit të Kanye West, duke e paraqitur atë si simbol të kostove të larta, të luksit të panevojshëm apo si një përpjekje për të kuruar imazhin e qeverisë. Këto janë çështje që mund të diskutohen seriozisht: transparenca financiare, prioritetet e shpenzimeve publike dhe përdorimi politik i eventeve kulturore janë pjesë e debatit demokratik. Por problemi fillon kur një ngjarje me përmasa ndërkombëtare reduktohet vetëm në këtë këndvështrim. Një koncert nuk është vetëm një faturë është edhe një mundësi për një vend që kërkon të dalë nga periferia dhe të krijojë një marrëdhënie të re me botën.

Natyrisht, figura e Kanye West nuk është jashtë debatit publik. Deklaratat e tij, sjellja publike dhe polemikat që e kanë shoqëruar janë çështje legjitime për t’u diskutuar. Një shoqëri demokratike duhet të ketë aftësinë të kritikojë edhe figurat me ndikim global. Por duhet kuptuar një dallim thelbësor mes vendet që sot janë qendra kulturore botërore dhe që kanë luksin për debate  të tillë, sepse prej dekadash kanë ndërtuar rrjete ndërkombëtare arti dhe kulture. Ato mund të refuzojnë një event, sepse nuk varen nga një rast i vetëm për të qenë pjesë e qarkullimit kulturor global. Shqipëria nuk është në të njëjtin pozicion. Ne jemi në fazën që kemi nevoje ta ndërtojmë nje treg të tillë muzikor. Aq më shumë një vend që ka kaluar dekada izolimi dhe periferizimi kulturor nuk mund ta ndërtojë hapjen ndaj botës duke krijuar vetë barriera të reja apo vendosur precedent kur nuk ka asnjë traditë në këtë industri.

Një koncert i përmasave botërore nuk është thjesht një mbrëmje argëtimi. Në qytetet e mëdha të Europës këto evente janë ngjarje ekonomike, sociale dhe urbane. Njerëzit udhëtojnë nga qytete të tjera, mbushin hotele, restorante, përdorin transportin dhe e kthejnë një koncert në një eksperiencë të tërë për qytetin. Kultura sot nuk është dekor por është industri, imazh dhe instrument i fuqisë së butë diplomatike. Shqipëria ka mundësinë që të mos shihet vetëm si një treg i vogël kombëtar, por si një hapësirë rajonale ku Tirana mund të tërheqë publik nga Prishtina, Shkupi, Podgorica dhe qytete të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ironia është se për vite kemi kërkuar që Shqipëria të mos shihet më si një vend periferik, ndërsa kur një artist i përmasave globale afrohet te ne, disa reagojnë sikur problemi kryesor është vetë hapja ndaj tij. Ndërkohë, skena jonë kulturore ende vuan nga një horizont i kufizuar, ku hapësirat publike shpesh dominohen nga tallavaja lokale, nga buzukët grekë që zhvendosen nga ambientet tradicionale në sallat e mëdha të koncerteve, apo nga ndonjë emër ndërkombëtar i njohur dikur, por që sot nuk është më pjesë e qarkut kryesor të skenës globale. Nuk ka asgjë të gabuar me këto forma argëtimi, pasi shijet janë të ndryshme, por një vend që kërkon të jetë pjesë e Europës nuk mund të mjaftohet vetëm me atë që prodhon tregu i tij i vogël apo ai rajonal.

Në fund, çështja nuk është vetëm Kanye West dhe as një koncert i vetëm. Çështja është nëse duam të vazhdojmë të mendojmë si një vend që pret rastësisht vizitorë, apo si një vend që krijon arsye që bota të vijë këtu. Shqipëria ka një mundësi reale të kthehet në një epiqendër kulturore për rajonin, duke e kthyer kulturën në strategji me pasoja ekonomike, turistike dhe politike. Debati kritik është i domosdoshëm, por nuk duhet të prodhojë një izolim të ri të maskuar si moralizim. Një vend që ka kaluar gjatë në periferi nuk ka nevojë të mbyllë dyert; ka nevojë të mësojë si t’i hapë ato me standarde dhe ambicie.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese